Përgjimet, Nishani: Nuk ka asnjë abuzim
• Komisioni parlamentar i Sigurisë votoi dje p/ligjin "Për përgjimet", duke mos marrë votat e opozitës.Me 5 vota pro, dy kundër dhe një abstenim, komisioni parlamentar i Sigurisë votoi projektin e kontestuar të paraqitur nga ana e qeverisë. Dy votat kundër ishin të deputetit të PAD-së, Pirro Lutaj dhe të maxhorancës, demokristianit Jak Ndokaj. Ndërsa deputeti tjetër i opozitës, Gëzim Musabelliu i PSD-së, abstenoi me votën e tij. Në mbledhje nuk ka qenë një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës. Aty ka raportuar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka dhënë sqarime për këtë nismë për dhënien e së drejtës së përgjimeve nga ana e Policisë Gjyqësore dhe Kriminale. Ministri hodhi poshtë idenë se policia do të ketë mundësinë e abuzimit gjatë ushtrimit të detyrës së saj. "Nuk ka shans dhe nuk ka mundësi sepse as ligji dhe as procedura nuk lejon mundësi abuzimi, pasi procedurat, ashtu siç është deri më sot, pasi të gjitha përgjimet kryhen vetëm me lejen e prokurorit kontrollohen prej tij, kryhen me të njëjtat pajisje, por kjo kërkohet që të zhvillohet, pa ndryshuar asgjë dhe në të ardhmen", deklaroi Nishani. Sipas tij, këto ndryshime bëhen në mënyrë që mos të angazhohen disa institucione, por të ketë përgjegjësi të vetme Policia Gjyqësore. Pas miratimin të realizuar, drafti pritet t'i kalojë për shqyrtim komisionit parlamentar të Ligjeve.