E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria futet në projektin e Detit të Zi

• Mbledhja e ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi dhe BE-së, e mbajtur në Kiev (Ukrainë) më 13-14 shkurt, adaptoi njëdeklaratë të përbashkët, në qendër të së cilës është institucionalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy organizmave. Sipas një njoftimi për shtyp, në këtë takim, ku Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, të dy organizatat identifikuan fushat me interes reciprok dhe angazhimin për një përqasje të përbashkët në zgjidhjen e sfidave e shfrytëzimin me efektivitet të mundësive të zhvillimit, në zonën e bashkëpunimit të Detit te Zi. Një fond vjetor prej 1 miliard eurosh do të vihet në dispozicion të kornizës së bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave të përbashkëta mes BE-së dhe BSEC-së për të financuar projekte të shumëllojshme në transportin rrugor dhe detar, energji, komunikacione, në fushën e tregtisë, kulturës për periudhën kohore 2008-2012. Në këtë kuadër, vendi ynë ka përshëndetur identifikimin dhe përfshirjen në listën e projekteve të financueshme nga ky fond të naftësjellësit Burgas-Vlorë, si një projekt madhor energjetik për rajonin dhe vendet të cilat ai përshkon. Gjatë këtij takimi, ministri Basha u takua dhe bisedoi me zv/ kancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanise, Shtajnmajer, komisioneren e BE-së për marrëdhëniet me Jashtë dhe politikat e fqinjësisë, Benita-Ferrero Valdner, zv/ kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm bullgar, Ivajlo Kalfin, ministrin e Jashtëm turk, Ali Babaxhan, ministrin francez për çështjet europiane, Jean Pierre Joyiet, ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Volodymyr Ohryzko, zv/ministrin e Jashtëm rus, A. Denisov, zv.ministrin e Jashtëm grek, Janis Valinakis dhe ministrin e Jashtëm rumun, Adrian Cioroiano. Bashkëpunimi dypalësh dhe rajonal, shpallja e pritshme e pavarësisë së Kosovës, zhvillimet lidhur me këtë ngjarje si dhe perspektiva e zgjerimit të NATO-s në Evropën Juglindore, kanë qenë temat kryesore të bisedimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›