E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man. UTD, Glejzër u kërkon hua lojtarëve

çudia
Pronari propozon obligacione me vlerë 50 mijë sterlina. Barça i ofron Runit rrogë 9 milionë euro

Lojtarët e Mançester Junajtid kanë mbetur të habitur, madje as që u kanë besuar veshëve: askush në radhët e “Djajve të Kuq” nuk do ta kishte menduar se presidenti i klubit, edhe pse i “zhytur” në borxhe (vlera shkon në afro 550 milionë euro), do t’u ishte drejtuar atyre për të siguruar parà borxh. Sipas tabloidit “The Sun”, oferta e pazakontë u është parashtruar lojtarëve në formën e obligacioneve me vlerë 50 mijë sterlina, ku përfitimi vjetor do të jetë 7 për qind. Propozimi i Malkom Glejzër, pronarit të Junajtid, ka çuditur jo vetëm yjet e drejtuar nga Sër Aleks Ferguson, por edhe të gjithë punonjësit e klubit. Borxhi me vlerë 500 milionë sterlina që rëndon bilancin e skuadrës ka bërë që së fundmi drejtuesit të shqyrtojnë zgjidhje nga më të diskutueshmet: ajo që ka shkaktuar irritimin e tifozëve ka qenë mundësia e shitjes së qendrës sportive në Kerrington dhe e stadiumit “Olld Traford”. “Lojtarët nuk dinë si të veprojnë, deklaroi një burim pranë klubit. Shumë prej futbollistëve janë konfuzë, pasi nuk arrijnë ta kuptojnë si është e mundur që punëdhënësit t’u drejtohen pikërisht atyre për të siguruar fonde. Një pjesë e sportistëve e kanë kuptuar se ky është një investim i mirë, por pjesa më e madhe nuk ka ndërmend të investojë pikërisht te personat nga të cilët marrin rrogat. Për më tepër, personat që punojnë prej vitesh në ‘Olld Traford’ janë më të shqetësuar se kurrë për vendet e tyre të punës”.
Problemet ekonomike mund të detyrojnë Mançester Junajtid që të shesë edhe lojtarin më të mirë të skuadrës, Uejn Runi. Barcelona dhe Reali i Madridit janë dy klubet që pretendojnë të blejnë sulmuesin anglez, madje ndërmjet tyre pritet të nisë një “luftë” ofertash. Por, katalanët kanë përfituar nga situata e krijuar dhe menjëherë kanë kontaktuar me Runin, të cilit i kanë ofruar një kontratë me rrogë 9 milionë euro në sezon. 24-vjeçari do ta shqyrtojë me kujdes propozimin e Barçës, edhe sepse ai e ka të qartë se Mançester Junajtid nuk mund t’i plotësojë kërkesën për rrogë 160 mijë euro neto në javë. Kontrata e Runit me kampionët në fuqi të Anglisë përfundon në verën e vitit 2012.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›