E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd, i gatshëm për luftë

Sir Alex Ferguson ka pranuar se gara për titull në Premierligë zhvillohet mes tri ekipeve, por ka përkrahur Manchester Unitedin të përfundojë i pari. Sezoni 2009/10 ka sjellë ndryshime të papritura, ku asnjëri prej konkurrentëve kryesorë nuk ka treguar vazhdimësinë e kërkuar për të krijuar epërsi bindëse.

Chelsea dukej favorit i fuqishëm në një fazë, por pësoi rënie të formës në periudhën e fundit. Manchester United ka arritur katër fitore të njëpasnjëshme dhe është përcjellësi i parë i gjigantit londinez.

Por, Arsenal është rikthyer në garë, edhe pse ishte përjashtuar më tepër se një herë gjatë këtij sezoni. Topxhinjtë konsiderohen se kanë orar më të favorshëm për dallim me konkurrentët e tjerë, por Ferguson beson në fuqinë e ekipit të tij dhe synon të fitojë titullin e katërt të njëpasnjëshëm.

“Arsenal është pa dyshim në garë. Ata kanë orarin më të lehtë në letër dhe do të jenë mbyllje interesante e kampionatit. Humbja e Chelseat nga Manchester City ishte rezultat i mirë për ne, por ka edhe shumë ndeshje deri në fund”, tha Ferguson për ueb faqen zyrtare të klubit. “Ne vazhdimisht kemi treguar vendosmërinë tonë. Nuk dorëzohemi dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të shihini në vazhdim të sezonit. Ne nuk do të dorëzohemi”, u shpreh ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›