E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manaj: Qeveria do të marrë të gjitha kompetencat

Dilemat rreth mandatit të pranisë së ardhshme civile dhe shtyrja e vendosjes së EULEX-it janë shqetësuese për qeverinë, por, sipas saj, nuk do të kenë pasoja serioze. Zv/kryeministri, Ramë Manaj, i cili ndodhet për vizitë në Bruksel, tha se me gjithë vonesat për EULEX-in, qeveria do t‘i marrë të gjitha kompetencat pas 15 qershorit, mirëpo analistët vlerësojnë se implementimi i Kushtetutës do të jetë shumë i vështirë nëse UNMIK-u mbetet edhe më tutje në Kosovë. Qeveria e Kosovës po përgatitet të marrë të gjitha përgjegjësitë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, më 15 qershor, pavarësisht faktit se misioni i EULEX-it mund ta shtyjë fillimin e punës në Kosovë. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha se qeveria e Kosovës është e shqetësuar për mosmarrëveshjet ndërmjet OKB-së dhe BE-së, lidhur me fillimin e punës së misionit të BE-së për polici dhe drejtësi, EULEX. Megjithatë, ai ka thënë se kjo është një çështje ndërkombëtare dhe nuk do të ketë ndikim në punën e Institucioneve të Kosovës. "Natyrisht se është shqetësuese, por nuk është në pahun e drejtpërdrejtë të ndikimit për qeverinë dhe institucionet. Ajo që është në duart tona është bërë dhe po bëhet, dhe, vonesat në fillimin e punës së misionit të EULEX-it nuk janë pasojë e mosangazhimit të institucioneve të Kosovës", ka thënë Manaj. Sipas numrit dy të qeverisë së Kosovës, këto vonesa nuk do ta pengojnë hyrjen në fuqi të Kushtetutës së shtetit më 15 qershor. "Kushtetuta do të hyjë në fuqi më 15 qershor. Institucionet e Kosovës do t‘i marrin të gjitha përgjegjësitë që deri tani i ka mbajtur UNMIK-u dhe kjo nuk lidhet me fillimin ose mosfillimin e punës së misionit të EULEX-it. Nëse EULEX-i do të fillonte sa më shpejt, do të kishte një përmirësim të shpejtë të gjendjes në ato fusha në të cilat EULEX do të angazhohet", thotë zv/kryeministri Manaj. Ndryshe mendon analisti, Rrahman Paçarizi, i cili thotë se vonesat në fillimin e punës së misionit të EULEX-it, do të kenë pasoja të rënda në reputacionin e Kosovës si shtet. Madje, Paçarizi thotë se kjo do të ketë pasoja edhe në fillimin e implementimit të Kushtetutës së Republikës. "Sigurisht, kjo do të reflektohet në masën që UNMIK-u, duke pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit, do të përpiqet të ruajë pushtetin e vet në masën sa e ka, apo në një masë pak më të dobësuar, por jo aq të dobët sa për të lejuar implementimin e Kushtetutës me të gjitha provizionet e saj dhe në këtë mënyrë do të shtyhet edhe fillimi i implementimit të shtetësisë së Kosovës, të shpallur në muajin shkurt", thotë Paçarizi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›