E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria paralajmëron policët serbë: Do t‘ju pezullojmë

Të gjithë policëve të komunitetit serb, të cilët kanë bojkotuar punën që nga 29 shkurti i këtij viti, nëse nuk do të kthehen në detyrë deri të premten më 30 maj, do t‘u ndërpritet masa e suspendimi me pagesë. Kështu ka bërë të ditur zëvendëskomisari i SHPK-së, gjeneral nënkolonel Sheremet Ahmeti pas një takimi që pati sot me udhëheqësit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ). Ahmeti bëri të ditur se me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është marrë vendim që këtyre policëve, të cilët nuk paraqiten në vendin e tyre të punës deri të premten në orën 08:00 do t‘u ndërpritet masa e suspendimit me pagesë. "E kam marrë vendimin që të premten në orën 08:00 të gjithë ata të cilët nuk paraqiten në punë do të suspendohen pa pagesë dhe procedura pastaj vazhdon, por me suspendim pa pagesë", ka thënë Ahmeti. Ai tha se deri tani në punë janë kthyer vetëm 15 policë serbë. Kreu i SHPK-së u shpreh se çdo rast që vërtetohet se ndonjë pjesëtar i SHPK së ka shkelur të drejtat e njeriut, do të merren masa për suspendim apo edhe largim nga puna. Në anën tjetër, kryetari i KMDLNJ, Pajazit Nushi, kërkoi nga qytetarët e vendit që të vetëdijesohen sa i përket respektimit të punës së pjesëtarëve të SHPK-së, në mënyrë që të mos vijë deri te rastet e dhunës edhe nga ana e tyre. Ai kërkoi përforcimin e të drejtës së shtetit në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›