E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester JunajtidFerguson shumëdilema për formacionin

ANGLI- Mançester Junajtid shkon në finalen e “Uemblit” me shumë dilema, sidomos përsa i përket skemës me të cilën do të zbresë në fushën e lojës. Tekniku Aleks Ferguson nuk e ka vendosur ende nëse do të luajë me 4 apo me 5 mesfushorë, duke synuar të mbulojë Lionel Mesin që në thellësi, por edhe të ndalojë dy magjistarët e mesfushës Ksavi e Iniesta. Gjithsesi, shanset më të mëdha janë që skocezi të luajë me skemën e tij të zakonshme 4-4-2, që i dhuroi kësaj skuadre titullin numër 19 në Angli. Në sulm pritet të luajë edhe në këtë takim dyshja Havier Hernandez-Uejn Runi, ndërkohë që në mesfushë mungesa e vetme duket se do të jetë ajo e Derrën Fleçer, i cili është sëmurur me një virus gripal. Skocezi pati humbur edhe finalen e vitit 2009 ndaj Barcelonës, për shkak se ishte i pezulluar. “Nuk është e lehtë të lësh futbollistë jashtë, sepse bëhet fjalë për anën njerëzore dhe këta lojtarë kanë punuar shumë për të arritur deri këtu, - tha trajneri Aleks Ferguson. – Për ne është një ndeshje skuadre dhe nuk do të jetë e lehtë që t’ia them një lojtari se nuk do të luajë”, shtoi ai. Ferguson deklaroi gjithashtu se skuadra e tij nuk duhet të fokusohet vetëm te kundërshtari. “Nuk duhet të shohim vetëm Barcelonën, por edhe veten tonë, duhet të gjejmë mënyrën më të mirë për të fituar ndeshjen. Do të përqendrohem sidomos te loja sulmuese, që është më e vështirë për t’u ndërtuar”, deklaroi ai. Për portierin Edvin Van der Sar kjo do të jetë ndeshja e fundit me Mançesterin. “Vjen një ditë që gjithçka mbaron, tani synoj të fitoj edhe Champions League”, deklaroi holandezi. Ndërkohë, mbrojtësi Nemanja Vidiç deklaron: “Në ndeshje të tilla nuk ka rëndësi se ku apo si luhet, e rëndësishme është të fitosh, sepse është finalja e Champions League dhe çdo gjë që ka ndodhur në të shkuarën nuk ka rëndësi”, tha ai. Mançester Junajtid luan të shtunën finalen e tretë në katër vitet e fundit, ndërsa kjo skuadër e ka fituar tre herë trofeun më të rëndësishëm europian për klube.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Manchester United, Ferguson shumë dilema për formacionin

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›