E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shkodër nuk ka futboll, Dinamo i fal finalen Vllaznisë

Në çdo sezon që kalon, Kupa e Shqipërisë merr gjithmonë e më shumë trajtën e një objekti "të pavlerë", që shërben për shkëmbime favoresh. Kjo ndodh mbi të gjitha në momentet finale të aktivitetit të dytë për nga rëndësia në vend, kur për interesat e tyre, skuadrat lëshojnë, ose bëjnë sikur kanë fituar në fushën e lojës. Skena është përsëritur dje në "Loro Boriçi" të Shkodrës, ku Dinamo është paraqitur me skuadrën e rezervave, ndërsa në fund Vllaznia ka fituar me rezultatin 4-0. Një farsë të cilën asnjëra nga dy skuadrat nuk ka pasur frikë ta tregojë hapur: vetëm pas 5 minutave lojë, kuqeblutë e drejtuar nga tekniku Haxhiosmanoviç fitojnë një 11-metërsh dhe e shohin veten në superioritet numerik. Mbrojtësi Pape Diop ndalon me dorë një top që po shkonte drejt rrjetës pas devijimit me kokë të Delain dhe gjyqtari Kridens Meta ka akorduar penallti dhe e ka nxjerrë nga loja me karton të kuq lojtarin dinamovit. Ekzekutimin e merr përsipër Sinani, i cili nuk gabon. Që prej këtij momenti futbolli ka vdekur dhe në fushën e lojës shënohen gola të denjë për një ndeshje amatorësh. Kaçi në minutat 8 dhe 22 përfiton nga mbrojtja dhe portieri Hoxha, që në fushë janë paraqitur vetëm sa për të qenë, duke shënuar dy herë. Ndërkohë që momente "lavdie" ka pasur edhe për Xhevahir Sukajn. 4-0 ka qenë edhe rezultati final i takimit, ndërkohë që drejtuesit e Dinamos, të pranishëm në stadiumin e Shkodrës, kanë provuar të justifikojnë paraqitjen e skuadrës së tyre. "Jemi të përqendruar te titulli kampion dhe nuk mund t‘i përkushtoheshim edhe Kupës, ishin fjalët e tyre. Për këtë arsye jemi paraqitur me ekipin e dytë". Justifikim që as ata vetë nuk e besojnë, pasi në realitet, në këmbim të Kupës, "favori" i Vllaznisë është lënia e 3 pikëve në kampionat. Në këtë mënyrë, blutë do të riktheheshin pas gjashtë sezonesh te titulli kampion, ndërkohë që shkodranët do ta "harronin" kampionatit dhe do t‘i përqendronin forcat te finalja e Kupës, ku do të tentojë të fitojë një vend në Kupat e Evropës për edicionin e ardhshëm (gjithmonë nëse pezullimi i Shqipërisë nuk kalon në përjashtim, pas ndërhyrjeve të forta politike në sportin më popullor).

Futboll i vërtetë është luajtur në gjysmëfinalen tjetër, atë ndërmjet Elbasanit dhe Tiranës. Kualiteti ka bërë diferencën dhe bardheblutë kanë dominuar totalisht sfidën e luajtur në "Ruzhdi Bizhuta": fitore 3-0, që e bën ndeshjen e kthimit të duket si një formalitet. Daniel Xhafaj dhe Duro (2 herë) kanë gjunjëzuar skuadrën e drejtuar nga Alimehmeti, ndërkohë që në minutat e fundit është regjistruar edhe një karton i kuq për elbasanasin Julian Ahmataj, që ka ndërhyrë shumë rëndë ndaj Kçirës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›