Menaxheri: Cana vlen mbi 10 milionë euro
Lorik Cana është një prej futbollistëve më të spikatur në futbollin francez. Lojtari i kombëtares shqiptare mund të luajë përpara mbrojtjes, në një skemë me mesfushë në formë rombi, por edhe si mbrojtës qendre. 24-vjeçari po zhvillon një sezon shumë të mirë tek Olimpik Marseja dhe shumë skuadra në kampionatet më të forta në kontinent kanë treguar interes për shërbimet e tij. "Natyrisht që roli i tij ideal është kur luan në mesfushë", ka deklaruar menaxheri i tij, Krisof Mongai. "Megjithatë, Loriku luan mirë edhe në mbrojtje. Është shumë inteligjent nga ana taktike dhe zotëron eksperiencë të konsiderueshme pavarësisht moshës së re". Ashtu si ka konfirmuar menaxheri, momentalisht kartoni i zv/kapitenit kuqezi kushton mbi 10 milionë euro. Shumë e interesuar për Canën është dukur Evertoni, ndërkohë që përflitet edhe se Roma e Luçiano Spaletit po e mban nën vëzhgim. "Jam i lumtur që edhe në Itali e vunë re kualitetin e Lorikut. Ai ka edhe tre vjet kontratë me Olimpikun e Marsejës, por në futboll nuk i dihet kurrë. Sa kushton? Vlera e kartonit të tij i kalon 10 milionë eurot, është një lojtar cilësor, mes më të mirëve në qarkullim, shpjegoi Mongai. Për sa i përket Romës, askush nuk më ka kontaktuar nga ky klub, por nuk është e thënë se Loriku do ta respektojë me patjetër kontratën që ka me klubin marsejez".