E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançini: Adriano, mëso të sillesh!

12/06/2005  Trajneri i Interit i tërheq vëmendjen sulmuesit brazilian, në prag të finales së Kupës së Italisë

Në prag të ndeshjes së parë të finales së Kupës së Italisë, Roberto Mançini kërkon maksimumin nga lojtarët e tij: “Duhet të shkojmë në Romë për fitore, megjithëse e dimë se nuk do ta kemi të lehtë. Vlerat e kampionatit nuk kanë më rëndësi në këtë moment dhe ndeshemi si të barabartë, por unë jam optimist”. Një ndeshje e rëndësishme, që për trajnerin zikaltër është shumë më tepër se thjesht një trofe për t’u fituar. Do të ishte fitorja e parë në drejtimin e Interit, triumf që zikaltrit nuk e arrijnë prej 8 vitesh. “Kemi harruar pak se si luhet, sepse kemi një muaj që po bëjmë pushim, por e dimë se do ta kemi të vështirë në Romë. Por ne do të shkojmë atje të vetëdijshëm për forcën tonë. Nuk ka rëndësi sa lart kemi qenë në kampionat, sepse sot do të jetë krejt ndryshe dhe përballë do të kemi një skuadër me lojtarë të mëdhenj, të cilët mund ta zgjidhin ndeshjen çdo moment”. Për Interin do të mungojnë Vieri, Veron e Emre, ndërsa Kili Gonzales, Karagunis e Kordoba nuk janë në gjendje të mirë fizike. Për këtë arsye, Mançini i bën një tjetër thirrje federatave argjentinase e braziliane që t’i lënë lojtarët e tyre edhe për ndeshjen e kthimit: “Fakti që na u kthyen amerikano-jugorët të premten, është shumë pozitiv. Tani kam më shumë lojtarë në dispozicion dhe mund t’i bëjmë gjërat më mirë. Por shpresoj që t’i kem edhe për ndeshjen e kthimit. Nuk e di si, por shpresoj që të luajnë të gjithë edhe në ndeshjen e dytë. Zërat që kanë ardhur nga Brazili nuk na kanë shqetësuar”. Meqë ra fjala te Brazili, Adriano ka shkatuar polemika me dëshirën e tij për t’u kthyer të shtunën, në vend të së premtes: “Adriano u paraqit në stërvitje të premten, si gjithë lojtarët e tjerë, ndaj është mbyllur ky problem. Ai është një lojtar i ri dhe mund të bëjë gabime, por unë shpresoj që të nxjerrë mësimet e duhura nga kjo sjellje dhe të sillet ndryshe në të ardhmen. Kjo vlen jo vetëm për të, por edhe për lojtarët e tjerë, sepse të gjithë të rinjtë gabojnë”. Në lidhje me të ardhmen e sulmuesit brazilian, Mançini refuzon të bëjë ndonjë koment: “Kemi një finale kupe për të luajtur, ndaj nuk më duket e drejtë të flasim për këto gjëra në këtë moment. Ky problem as që duhet përmendur. Pastaj, le t’i kërkohet lojtarit të sqarojë ato që ka thënë në Brazil”. Në lidhje me një blerje të mundshme të Kasanos, Mançini tregohet i qartë: “Është një lojtar i madh dhe nuk do të përbënte ndonjë problem, pavarësisht se kemi 5 sulmues. Të gjithë do të donin ta kishin Kasanon, por varet edhe nga lëvizjet e merkatos. Është e qartë se jam i kënaqur me këta sulmues që kam, por edhe Kasanon nuk do ta refuzoja”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›