Mancini: Do ta fus në burg Balotellin
Trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka deklaruar me shaka se do ta fusë në burg Mario Balotellin pas veprimeve të tij kontraverse ndaj Manchester Unitedit në fitoren prej 1-0 në kuadër të gjysmëfinales së FA Cup të zhvilluar në Wembley.
Sulmuesi problematik italian festoi fitoren prej 1-0 në mënyrë mjaft kontraverse, pasi shkoi te tifozët e United për të hedhur fanellën e tij dhe më pas u kthye te ata të Cityt. Natyrisht, ky veprim nuk kaloi lehtë pasi kapiteni Rio Ferdinand shkoi për t`i "qëruar" hesapet me italianin, ndërsa këtë të fundit e "shpëtuan" bashkëlojtarët.
“Secilën herë është gabimi i Balotellit, por dua të pres. Nuk kam parë se çfarë ndodhi, kështu që e kam vështirë. Mund ta fusim në burg? Javën e ardhshme mund ta fusim në burg për këtë”, ka thënë Mancini.