Reina, i lumtur në Liverpool

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish beson se Pepe Reina është i lumtur në klub, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme se mund të largohet nga Anfield Roadi gjatë afatit kalimtar të janarit. Reina ishte objektiv i një oferte prej 23 milionë funtesh nga Arsenali, në fillim të këtij sezoni, por mbeti në Liverpool, ku përcolli thellimin e problemeve në klub nën drejtimin e Roy Hodgsonit.
Së fundmi, qarkulluan njoftime se Manchester United dhe Arsenali do të ringjallin interesimin e tyre për reprezentuesin spanjoll pasi Reina ka hezituar të konfirmojë të ardhmen e tij afatgjate në klub.
Por, me përmirësimin e dukshëm të rezultateve nën drejtimin e Dalglishit – i cili zëvendësoi Hodgsonin në janar – menaxheri është optimist se Reina do të mbetet në Liverpool.
“Nuk mund të flas me Reinan rreth asaj se si i sheh ai gjërat ose si jemi duke shkuar. Mundem vetëm të them se çka mendoj unë personalisht dhe i gjithë klubi rreth tij. Gjithmonë kam besuar se ai është njëri prej portierëve më të mirë në Premierligë dhe në botë, nëse jo më i miri. Çka do që mendon ai rreth asaj nëse jemi duke shkuar në rrugën e duhur ose jo, varet prej tij, por mua nuk më duket i pakënaqur”, tha Dalglish për Daily Mail.