Mancini më trajtoi si qen

“Jam trajtuar në mënyrë të keqe. Kur Mancini e futi në lojë De Jongun në vend të Dzekos dhe ne po humbitnim 2:0, mendova se ishte një zëvendësim defanziv, kështu që vendosa të ulem në bankinë”, rrëfen Tevez për Fox Sports Latin America.
“Unë po ngrohesha për 10 minuta, por ai e kishte qëndrimin e tij, duke vendosur më mirë të humbasë 2:0 sesa 4:0. Kështu që, unë u ula. Roberto më pas erdhi tek unë dhe mund ta imagjinoni se çka ndodhi. Më trajtoi si një qen”, shtoi ish futbollisti i Manchester Unitedit.
Tevez tregon se më pas kishte refuzuar të ngritej sërish për t’u ngrohur, për këtë Mancini e kishte mallkuar dhe sharë. Futbollisti më pas u suspenduar nga klubi dhe shkoi në Argjentinë, ku qëndroi 3 muaj. Pasi dështoi transferimi i tij në një klub tjetër, tash përfaqësuesi argjentinas dëshiron të kthehet dhe ta ndihmojë ekipin, edhe pse tifozët e klubit nuk e duan më.
“Kam vendosur t’i fitoj sërish zemrat e tifozëve, të cilët janë kthyer kundër meje, pas asaj që ndodhi ndaj Bayernit. Besoj se ata janë keqinformuar, atyre nuk u janë thënë faktet. Atyre u është thënë se nuk kam dashur të luaj dhe natyrisht se do të ktheheshin kundër meje. Parullat e tyre kundër meje më kanë vrarë. Unë gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë klub dhe ajo që dua më së shumti është të luaj futboll”, përfundoi Tevez.