E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati, PS nuk do t’i drejtohet gjykatës

11/04/2012  Kryeopozitari mbledh grupin parlamentar, diskutohet përplasja me PD-në për “Seserin”

Rama: I takon Kuvendit të njoftojë KQZ-në për refuzimin e Gjon Bardhit

Albana Lika

Opozita nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese apo asaj të Apelit për të zgjidhur ngërçin politik mes saj dhe mazhorancës qeverisëse për mandatin e lënë vakant nga Rudina Seseri. Këtë e bëri dje me dije lideri i saj, kryetari i PS-së Edi Rama, i cili në fjalën e tij para grupit parlamentar tha se mbajtja peng e mandatit të partisë që ai kryeson është pjesë e procesit të degradimit të marrëdhënieve të Kuvendit me demokracinë, me Kushtetutën dhe me ligjin. “Në rastin e mandatit të deputetit të opozitës përbën një shembull të panjohur më parë të cenimit të sovranitetit të popullit pikërisht aty ku ai materializohet drejtpërdrejtë: në Kuvend, jo më në kutitë e votimit, jo më në procesin zgjedhor, por edhe post faktum, mbi materialitetin e sovranitetit, që është numri i mandatave të Kuvendit. Thirrja për Partinë Socialiste që t’i drejtohet gjykatës është shprehja më kuptimplotë e degradimit të marrëdhënieve të vetë pushtetit me gjithë procesin demokratik”, - tha Rama. Ai deklaroi se mes PS-së dhe gjykatës nuk ka asnjë lidhje, duke nënkuptuar se nuk do t’i drejtohen gjykatës për ta zgjidhur këtë konflikt. Sipas kreut të selisë rozë, është Kuvendi institucioni që i takon ta zgjidhë. “Nuk ka asnjë lidhje në këtë rast Partia Socialiste apo opozita kuvendore me gjykatën. Ashtu siç nuk ka asnjë lidhje mandati i mbajtur peng me ndonjë proces që përfshin gjykatat. KQZ-ja ka dhënë një mandat pasi është dhënë një dorëheqje. Personi të cilit i është dhënë ky mandat e ka refuzuar atë, sepse është ndërkohë kryetar i bashkisë dhe ka vendosur që të vazhdojë të bëjë punën si kryetar bashkie. I takon Kuvendit të njoftojë KQZ-në për këtë refuzim dhe t’i kërkojë që të vazhdojë me listën e deputetëve për deputetin e radhës, i cili duhet të mandatohet dhe pastaj të ulet në vendin e mbetur bosh”, - deklaroi numri një i partisë më të madhe në opozitë. Më herët lidhur me këtë argument Rama akuzoi Kryeministrin dhe kryeparlamentaren Topalli se po mbajnë peng shumë mandate që i takojnë PS-së. “Është dita për ta përsëritur se mandati i deputetit të opozitës, që mbahet peng në sirtarin e Jozefinës, është i disati në radhën e një sërë mandatesh kushtetuese që mbahen në atë sirtar në shkelje të plotë të Kushtetutës, të ligjit dhe të detyrimeve që ka Kuvendi në raport me Kushtetutën dhe me ligjin. Mbahen peng mandate të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë; mbahet peng procesi i ripërtëritjes së mandatave për anëtarët e Bordit të Televizionit Publik Shqiptar dhe të KKRT-së, që paguhen nga taksapaguesit jashtë mandatit të tyre ligjor”, - tha ai.

Selia rozë pro ndryshimit të sistemit

PS nismë publikë për reformimin e Kodit sipas OSBE/ODIHR-it

Partia Socialiste është gati të ndërmarrë një nismë publike për të diskutuar me forcat e tjera politike dhe publikun çështje të reformës zgjedhore, që para interesave të njërës palë apo të tjetrës synojnë numërimin ndershmërisht të çdo vote. Kreu i saj, Edi Rama, rideklaroi se PS-ja është pro përmirësimit të sistemit aktual zgjedhor, në dakordësi me të gjitha forcat politike. “Mirëpo ballafaqimi i këndvështrimeve dhe argumenteve për mundësitë e ndryshimit apo të përmirësimit të sistemit zgjedhor nuk mund të jetë shkak për të bllokuar reformën zgjedhore dhe për të lënë pa kryer detyrimet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it”, - theksoi Rama në fjalën e tij.

Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i tij

Kodi Zgjedhor në nenin 164 të tij, pika 2, zgjidh më së miri mandatin “Seseri”. “KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listë. Nëse ai nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës”, - thuhet në pikën dy të nenit. Ndërsa pika një e po këtij neni përcakton se mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” e “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës në zonën zgjedhore përkatëse.

Kushtetuta e Shqipërisë mbi papajtueshmërinë e detyrës

Neni 71 i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Në të përcaktohen gjashtë rastet kur mandati i mbaron ose është i pavlefshëm. Konkretisht përmenden rastet: kur ai nuk bën betimin; heq dorë nga mandati; vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3; mbaron mandati i Kuvendit; mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Ndërsa neni 69 cakton se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatikë, kryetarët e bashkive e të komunave dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore sipas ligjit. Mandati i fituar në kundërshtim me sa më sipër është i pavlefshëm. Gjon Bardhi ushtron detyrën e kryebashkiakut qysh nga maji 2011.

Konferenca “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”

Kryeministri në Bruksel me ftesë të eurodeputetit Daul

Kryeministri Berisha u nis për në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën me temë “Ballkani drejt integrimit europian”, i cili organizohet sot nga grupi i PPE-së në Parlamentin Europian. Konferenca organizohet në kuadër të mbështetjes së gjatë dhe inkurajimit të fuqishëm që grupi i PPE-së në PE u ka dhënë dhe u jep vendeve të Europës Juglindore në procesin e integrimit. Pjesëmarrja e kreut të qeverisë shqiptare është siguruar në këtë konferencë përmes ftesës drejtuar atij nga kryetari i grupit të PPE-së në Parlamentin Europian Jozef Daul, si folës kryesor në sesionin e parë me temë “Procesi i stabilizim-asocimit: eksperienca, sfida dhe mundësi”. Konferenca, e cila do të hapet nga eurodeputeti Daul, do të trajtojë çështje që lidhen me progresin aktual dhe të ardhmen e integrimit europian të vendeve të Europës Juglindore, si dhe mbi mbështetjen europiane për Ballkanin në lidhje me promovimin e një bashkëpunimi të fortë rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›