E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i Seserit, katër mënyrat për shmangien e krizës

11/04/2012  Afati për të bërë betimin Gjon Bardhi deri në qershor

Politika shqiptare i ka rrugët e zgjidhjes për mandatin e Rudina Seserit, por duket se është më e interesuar për sherrnajën politike sesa për zgjidhjen e parë. Zgjidhja e parë vjen pikërisht nga afatet. Gjon Bardhi e ka marrë mandatin nga KQZ-ja më 13 janar të këtij viti dhe sipas Kushtetutës, në rast se ai nuk bën betimin brenda gjashtë muajsh, KQZ-ja është e detyruar të vijojë me zëvendësimin e tij. Përderisa Gjoni e mban këtë mandat prej katër muajsh, pra ka katër muaj që është shkelur Kushtetuta, mund të shkelet dhe dy muaj. Është e njëjta situatë si në zgjedhjet e vitit 2009-s, kur deputetët e Partisë Socialiste u detyruan të futen në Kuvend pak përpara se t’u mbaronte afati që t’u digjeshin mandatet. Variant i dytë është ai i dërgimit të çështjes në Kolegjin Zgjedhor dhe t’i kërkohet nga ana e Partisë Socialiste apo vetë Gjon Bardhi rivlerësimi i afateve, meqenëse afati i ankimit ka mbaruar. Atëherë KQZ-ja e kthen edhe një herë për shqyrtim çështjen, merr vendimin, në rast se ai është në përputhje me atë çka kërkon PS-ja, atëherë jeta politike mund të vijojë qetësisht. Po në rast se nuk është në përputhje, atëherë çështja kalon sërish në Apel, që i jep zgjidhje përfundimtare kësaj sherrnaje.

Të tjerat

Dy variantet e tjera tashmë dihen, sepse janë bërë publike dhe nga goja e politikanëve të ndryshëm. I pari është që Bardhi të dorëzojë mandatin (që për arsye të pashpjegueshme ka gjasa të ndodhë) dhe të zhvillohen zgjedhje të reja për kryetar bashkie në Fushë-Krujë, dhe e dyta të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga ana e PS-së, por edhe në këtë rast gjasat janë që mandati i deputetit t’i mbetet në dorë sërish Bardh Gjonit, dhe sërish të shkohet në zgjedhje të reja në Fushë-Krujë. Duket se dy zgjidhjet e mësipërme janë më optimalet, por politika, e në mënyrë të veçantë Partia Socialiste, në mënyrë të pashpjegueshme e kërkon këtë mandat nga Këshilli i Mandateve, i cili është organizmi i fundit që mund t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje. Natyrisht, gjërat do të kishin rrjedhur ndryshe në rast se anëtarët e KQZ-së nuk do të kishin votuar në mënyrë unanime për t’i dhënë mandatin Bardhit, apo më pas PS-ja të dërgonte një ankesë brenda 30 ditësh në KQZ, ankesë për të cilën e vrau mendjen vetëm tre muaj më vonë për t’ia kërkuar Këshillit të Mandateve. Nuk dihet cilët janë hapat që do të ndiqen, por ka qenë Edi Rama që ka kërcënuar me bllokim të jetës parlamentare dhe reformat e integrimit në rast se nuk i njihet PS-së mandati i dorëzuar nga Rudina Seseri.

Variant i parë

Mandati i Rudina Seserit iu dha Gjon Bardhit nga KQZ-ja më 13 janar të këtij viti, në një votim prej 7 votash pro dhe 0 kundër. Në bazë të ligjit, deputeti humbet mandatin kur nuk paraqitet në Kuvend për të bërë betimin brenda gjashtë muajsh. Pra, Gjon Bardhi duhet të paraqitet deri më 13 qershor në Kuvend, në rast të kundërt humbet mandatin e deputetit dhe mban atë të kreut të Bashkisë së Fushë-Krujës, që e fitoi në zgjedhjet e majit 2011.

Varianti i dytë

Varianti tjetër është ai i kërkesës nga ana e PS-së ose e Gjon Bardhit të rivlerësimit të afatit në Gjykatën e Apeli dhe Kolegjin Zgjedhor, ku të kërkohet dhe një herë rivendosja e afatit të ankimit për vendimin e 13 janarit nga ana e KQZ-së. Më pas çështja rimerret edhe një herë në shqyrtim nga KQZ-ja dhe në raste se vendimi është i njëjtë më atë të mëparshmin, atëherë mund të ankimohet sërish në Apel, që i jep dhe verdiktin.

Variant i tretë

Dorëheqja e Gjon Bardhit si kryebashkiak i Fushë-Krujës dhe marrja e mandatit të deputetit do të ishte një zgjidhje tjetër e këtij problemi. Më pas në vendin e lënë vakant nga ana e Bardh Gjonit duhet të zhvilloheshin zgjedhje të tjera, një opsion ky i pëlqyeshëm nga mazhoranca, pasi do t’i jepte mundësinë të rimerrte bashkinë e këtij qyteti, që e humbi në zgjedhjet e vitit të kaluar. Në këtë rast më i favorizuar është pushteti.

Variant i katërt

Gjykata Kushtetuese është institucioni tjetër që ka të drejtën e interpretimit të dokumentit themeltar të shtetit dhe vendimi i saj do të ishte i detyrueshëm për t’u zbatuar. Opozita e ka hedhur kategorikisht poshtë këtë opsion, pasi Kushtetuesja mund të linte në fuqi vendimin e KQZ-së, por duke e detyruar Bardhin të dorëzojë mandatin e kreut të Bashkisë. Edhe në këtë rast do të kishim të bënim me zhvillim zgjedhjesh të reja në Fushë-Krujë.

Rudina Seseri

Rudina Seseri ishte deputetja që dorëzoi mandatin e saj për shkak të angazhimeve në SHBA. Duhet theksuar se rasti i Seserit mund të futet në analet e historisë parlamentare si deputetja që erdhi pas gjashtë muajsh mungesë në seancë plenare vetëm e vetëm që të mos i digjej mandati. Në tre vjet pjesëmarrja e saj në Kuvend mund të numërohet me gishta. Akoma më e theksuar ka qenë kjo mungesë në komisionet parlamentare.

Gjon Bardhi

"Nuk e shqetëson shumë zonjën Topalli në do të jetë Gjon Bardhi apo Edison Konomi deputet i parlamentit, por mendoj se është një lojë politike, një zvarritje, tërheqje vëmendje apo një shfrytëzim, që duan të bëjnë për ligje të rëndësishme apo për zgjedhjen e presidentit. Për mua është shkelje e Kushtetutës që bën zonja Topalli. Kushtetuta thotë se parlamenti përbëhet nga 140 deputetë, ndërkohë që miratohen ligje me 139 të zyrtarizuar", - tha Bardhi.

Ish-kreu i KQZ-së flet për zhurmën politike

Gjata: Kodi nuk parashikon

çregjistrimin e kandidatit

Ish-kreu i KQZ-së Çlirim Gjata tha dje se situata në të cilin ndodhemi ka ardhur si pasojë e vakumit që shkakton Kodi Zgjedhor. Sipas tij, në Kod është parashikuar regjistrimi i kandidatit në zgjedhje, por në asnjë rresht të tij nuk është parashikuar mënyra se si bëhet ky çregjistrim. “Më e lehtë është të dorëzosh mandatin e deputetit apo të kryetarit të bashkisë sesa të bësh një çregjistrim kandidati nga lista e dorëzuar nga bashkia. Kjo është absurde, por Kodi në asnjë nen të tij nuk e ka parashikuar këtë procedurë”, - tha dje Gjata i pyetur nga gazeta “Metropol”. Gjata ka dhënë shpjegim dhe se si mund të dilet nga kjo situatë. “Mund të bëhet nga pala e interesuar një kërkesë në Apel apo Kolegjin Zgjedhor për rivlerësim afati, më pas Kolegji merr vendim dhe çështja i kalon sërish KQZ-së për vendim. Në rast se ka ende pakënaqësi nga vendimi i KQZ-së, atëherë vendimi mund të riankimohet në Apel, që merr vendimin përfundimtar. Pra, nëse Gjon Bardhi do të rrijë kryetar bashkie apo do të marrë mandatin e deputetit”, tha Gjata. Sipas tij, nuk kish pse bëhej gjithë kjo zhurmë, në rast se PS-ja brenda 30 ditëve, siç e parashikon Kodi, do të kishte bërë ankimin në KQZ. “Nuk di të them nëse ka qenë e qëllimshme apo si pasojë e paaftësisë së juristëve që merren me këtë çështje në PS”, - u shpreh ish-kryetari i KQZ-së Çlirim Gjata në prononcimin e tij. Në të njëjtën linjë me të janë shprehur dhe jurist të tjerë që merren me çështjet zgjedhore.

Berisha

“Mazhoranca nuk cenon mandatin e asnjë force politike, por i qëndron fort respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Zoti Gjon Bardhi ka dy mandate: atë të deputetit të dhënë nga KQZ-ja dhe të kryetarit të baskisë. Është gjykata e Apelit ajo që trajton çdo çështje që ka të bëjë me deputetin, kandidimin e mandatimin dhe jo Komisioni i Mandateve.”

Rama

“Pas dorëheqjes së një deputeteje, në zbatim të Kodit Zgjedhor zotit Gjon Bardhi iu dha normalisht nga KQZ-ja mandati i deputetit, duke ndjekur radhën në listën e qarkut të Durrësit. Ai vendosi të zgjedhë qëndrimin në detyrën që ka për të vazhduar punën si kryetar bashkie. Është detyra e Kuvendit të njoftojë KQZ-në për të plotësuar vendin ende bosh në radhët e PS-së.”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i cilësoi dje akuzat e Ramës si të pabaza dhe jashtë çdo logjike ligjore e kushtetuese në lidhje me mandatin e Rudina Seserit. “Duke qenë se Këshilli i Rregullores nuk funksion me shumicë votash, por në barazi të plotë, derisa Rama ta ndajë mendjen mbi ligjshmërinë ose jo për këtë çështje, Këshilli është i bllokuar për konkluzionet. Rama t’u thotë shqiptarëve se në cilin nen autorizohet Kryetari i Kuvendit për të dhënë apo hequr mandatin e deputetit”, - u shpreh Topalli.

Kryetarja e Kuvendit ka përsëritur sërish kërkesën ndaj Partisë Socialiste që të sjellë në Kuvend kandidaturat për vendet vakante të opozitës në Bordin e Këshillit të televizioneve, të lëna bosh që prej 3 vjetësh, si karrigia e zonjës Seseri në Kuvend. “Deri tani Rama ka kërkuar një gjethe fiku, edhe po e gjeti, ajo nuk e mbulon, por e turpëron”, - nënvizoi Topalli. Kreu i PS-së, Rama, gjithashtu ka ripërsëritur akuzat se mazhoranca po mban peng mandatin e deputetit socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›