Mandati, Rama: Berisha ëndërron konflikt me opozitën

Kryeministri Berisha ëndërron një konflikt me opozitën. Kështu është shprehur kryesocilaisti Edi Rama në një dalje të tij për shtyp pas akuzave të Kryeministrit ndaj tij për sulme politike ndaj tij dhe mazhorancës. Nën akuzën se lidershipi i PD-së po u mban peng mandatin dhe se pretendimet e tyre janë të pabaza, Rama theksoi se nuk po kërkojnë asgjë përpos asaj që e përban Kushtetuta dhe ligji.
“Kur thotë shkoni në Gjykatë për mandatin, Berisha rikonfirmohet si shpërdorues i pushtetit duke cenuar edhe sovranitetin e popullit të materializuar në mandatet e kuvendit. Berisha se fsheh dot se e ëndërron një konflikt me opozitën dhe të ketë justifikime se po më bllokon opozita dhe kur ne kërkojmë atë që na takon si në këtë rast me ligj e me zakon, se Berisha ka dështuar në qeverisje, me integrimin, me alibinë e bllokimit dhe tanimë edhe justifikimet i kanë rënë të gjitha si rrobat e mbretit lakuriq”- tha Rama,
Gjatë paradites, duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha tha se maxhoranca nuk ka asnjë qëllim të grabisë mandatin e opozitës, ndërsa garantoi se kësaj çështjeje do t`i jepet zgjidhje në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Më tej ai i cilësoi si absurde deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama se mazhoranca kërkon t`i vjedhë mandatin e deputetit socialist.