E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandati i Seserit, PS akuza PD-së:Është shkelur Kushtetuta

Partia Socialiste ka akuzuar serish maxhorancën për mbajtjen peng të mandatit të deputetit të saj, pas tërheqjes së ish deputetes Rudina Seseri. Deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka deklaruar se pretendimet që ngre maxhoranca janë të pabaza ndërsa shtoi se qëndrimi i mazhorancës është në shkelje të hapur të Kushtetutës.
 

"Kushtetuta është e qartë ku personi merr mandatin nga KQZ-ja ai ose e pranon ose e refuzon dhe vendi mbetet vakant ndërsa më pas i kalon personit tjetër që është në listë" theksoi Gjiknuri.

Ai ka theksuar se nuk është i nevojshëm interpretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese në lidhje për këtë çështje pasi kjo gjykatë është shprehur edhe në vitin 2000.

Mazhoranca ka deklaruar se do të dërgojë për interpretim këtë mandat në Gjykatën Kushtetuese.Ky vendim i demokratëve vjen nga refuzimi i Gjon Bardhit, për të zëvendësuar Seserin, pasi ai vetë ka zgjedhur të mbajë detyrën e kryebashkiakut të Fushë Krujës.

Mbi bazën e kësaj deklarate, PS-ja ka kërkuar që mandati t`i jepet Edison Konomit, personit që është pas Bardhit në listën e deputetëve. Por PD-ja e ka kontestuar një kërkesë të tillë, duke theksuar se Bardhi mban një mandat të paligjshëm dhe se kjo zgjidhet duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet te jape interpretimin për vlefshmërinë e mandatit.

Rudina Seseri vendosi të dorëzojë mandatin e deputetes më 16 dhjetor dhe sipas ligjit zgjedhor, i takonte emrit pasardhës në listën e PS-së për qarkun e Durrësit të merrte mandatin e saj.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›