Manjani: “Largimet nga administrata, dëm buxhetit”
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS, Ylli Manjani, deklaroi se qeveria po shpërdoron Buxhetin e Shtetit duke mos respektuar ligjin e nëpunësit civil.
Sipas Manjanit, fatura për shkarkimet e paligjshme në administratë po paguhet nga xhepat e taksapaguesve. "Shqiptarët kanë paguar dhe paguajnë një kosto financiare të padrejtë për të gjithë, të shkarkuarit në mënyrë të jashtëligjshme, dhe kjo kosto prodhohet nga fakti se qeveria paguan dy punonjës për të njëjtin vend pune", - tha ai. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, si dhe kërkesave të ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil, Manjani tha se qeveria nuk kishte e nuk ka asnjë arsye të ketë vende vakante, për pasojë ajo nuk mund të rekrutojë punonjës të rinj kur ka ende në pritje punonjës me status.
23 Shkurt 2008