E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Qeveria ka thelluar problemin e çështjes së pronave

Kryetari i Komisionit të Sigurisë së Ligjeve dhe Administratës, Ylli Manjani shprehu shqetësimin se qeveria nuk ka zgjidhur çështjen e pronave, por ka thelluar problemet që lidhen me këtë çështje.Sot ne konstatojmë se pronarët shqiptarë janë praktikisht shumë më larg marrjes së pronës së tyre sesa katër vite më parë, u shpreh Manjani, duke shtuar ata janë shumë larg, sepse korrupsioni qeveritar nga njëra anë dhe gënjeshtrat politike të Sali Berishës nga ana tjetër kanë bërë që prona të largohet çdo ditë e më shumë nga dora e pronarit të vërtetë. Sipas tij, kryeministri Berisha, megjithëse i rrëmbeu dhunshëm kompetencën gjykatave, duke lejuar Zyrat e Regjistrimit të saktësonin kufijtë e pronave, nuk zgjidhi asnjë konflikt. Zyrat e regjistrimit të pasurive, sipas TI sot janë burimi kryesor i konflikteve të pronësisë, deklaroi Manjani, duke shtuar kështu do të përfundonte kjo çështje në kushtet kur gjykata janë të përjashtuara dhe sistemi unik i regjistrimit nuk funksionon ende. Në këtë kontekst, Manjani tha se është kjo arsyeja që shumica e fermerëve sot në gjithë Shqipërinë nuk e posedojnë dokumentin zyrtar të Regjistrimit të tokës bujqësore të përfituar sipas ligjit 7501. Deklaratat konfuze të Berishës në këto katër vite qeverisje, ndryshimi i katër kryetarëve të Komisionit të kthimit të pronave, gënjeshtra e madhe e  kompensimit fizik me troje në zonat turistike, ishin thjesht luga bosh që Berisha u përpoq të ushqente pronarët, u shpreh Manjani. Sipas tij, Sali Berisha stimuloi hapur dhe pa asnjë kriter pushtimin e pronës duke shtyrë, zgjatur e zvarritur procesin e legalizimeve, proces ky që sipas ligjit dhe programit të vetë Berishës duhet të kishte përfunduar dy vite më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›