E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, PS kërkon monitorimin e shtetasve me karta identiteti

PS i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Brendshëm dhe kryetarit të komisionit ad hoc për monitorimin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti, përmes së cilës kërkon informacion në lidhje me pasaportat e papërdorura. Tre anëtarët socialiste të këtij komisioni, Islami, Klosi dhe Xhafaj janë nisur nga disa fakte në formulimin e kësaj kërkese, në veçanti tani që ka nisur aplikimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Duke patur parasysh që pasaporta jashtë vendit është mjet identifikimi që i jep mundësi votuesit të votojë dhe me synimin për të shmangur përdorimin abuziv të pasaportave të vjetra që mund të lëshohen eventualisht, socialistet kërkojnë këtë informacion nga Ministria e Brendshme. Sa është numri i pasaportave të papërdorura dhe cilët janë numrat e serive te tyre? Ku administrohen pasaportat e mbetura dhe çdo bëhet me to në të ardhmen? Ku mbahen ato? A po lëshohen pasaportat e vjetra, nëse po ku? Çfarë aktesh nënligjore janë hartuar për këtë çështje?. Kjo kërkesë e PS vjen pas një tjetër kërkese drejtuar KQZ një dite më parë që fletët e votimit të prodhohen jashtë vendit. Përgjigjja lakonike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka dekurajuar opozitën e majtë, e cila duket e vendosur të forcojë procesin e monitorimit në këtë proces zgjedhor, kaq të rëndësishëm për fatet e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›