Rama: Qeveria po pengon pushtetin vendor të çojë para projektet e bashkisë
Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka inspektuar punimet në bllokun 51 në Tiranë, pjesë e njësisë bashkiake numër 9 në kryeqytet. Gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimit e gjithë këtij blloku, Rama ka hedhur akuza ndaj qeverisë aktuale, e cila po pengon pushtetin vendor, të çojë përpara projektet për zhvillimin e Tiranës.
"Për shkak të një qeverie injorante e cila nuk do, nuk di dhe nuk mund të bëj më shumë për të bërë atë detyrë që ky kryeqytet të funksionojë, ashtu siç duhet dhe që qeveria vendore e këtij kryeqyteti të ketë të gjithë hapësirën e domosdoshme që i jep jo vetëm Kushtetuta, por në radhë të parë vullneti i popullit të kryeqytetit, u shpreh Rama. Ai i ka siguruar qytetarëve, që ky transformim është vetëm një pjesë e një transformimi kolosal që do shihet në vitet në vijim pas 28 qershorit. Rama deklaron se në projektin e rehabilitimit të bllokut është parashikuar ndërhyrja në rrjetin e ujësjellësit e sistemin e kanalizimeve, si dhe ndriçimi rrugor. Kryesocialisti bën të ditur se parashikohet dhe krijimi i shesheve për parkim publik. Sipas tij, rehabilitimi i këtij blloku pritet të përfundojë brenda 7 muajsh.