E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS garanton barazi për gratë në vendimmarrje

Nëse në listat e PS nuk është respektuar parimi që përfaqësimi duhet të jetë me 30 përqind femra, ditën e djeshme kryetari socialist ka vazhduar të përsërisë refrenin e pjesëmarrjes aktive të gruas në politikë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zbardhi dje disa aspekte që programi i ri qeverisës, parashikon në lidhje me integrimin e gruas shqiptare në jetën publike e në vendimmarrje. Rama u shpreh në mbrëmje, gjatë një takimi masiv me gra dhe vajza të kryeqytetit se do të ishte e paplotë i gjithë ky proces nëse socialistët do të krijonin kushtet vetëm të një barazie në Parlament, e nuk do ta shoqëronin këtë hap me hapa të tjerë që ndikojnë direkt në jetën e çdo gruaje shqiptare, e si rrjedhojë në jetën shoqërore të Shqipërisë. Vendosja e grave në kushte të barabarta me burrat, për tu dhënë mundësi që të marrin pjesë në jetën politike, është vetëm njëri nga aspektet, tha Rama, duke shtuar ndaj ne nuk duhet të pranojmë që ky është i vetmi aspekt. Ai theksoi se nuk do ishte e mjaftueshme, në rast se nuk do hiqeshin pengesat diskriminuese që hasin vajzat e gratë kur duan të japin kontribut në administratën shtetërore të këtij vendi, apo në rast se nuk krijohen kushte të reja për gratë dhe vajzat me talent sipërmarrës. Për këtë arsye, Rama u shpreh se PS ka qenë e fokusuar që në planin qeverisës të flitet për politika që krijojnë jo vetëm mundësinë për të ushtruar të drejtën e përfaqësimit, por edhe të krijojë perspektivë për lirinë ekonomike të grave. Kryetari Rama fillimisht ka përshëndetur pjesëmarrëset nga Tirana, por edhe zonjat e ardhura nga jashtë për prezencën e tyre në këtë takim ku është prezantuar kapitulli i Programit që është hartuar për vendosjen e barazisë gjinore në vend. Unë dua ta them sot, se pas 28 Qershorit, asnjë gruaje shtatzënë nuk  do ti mungojë konsulta mjekësore. Ne do ta marrin ne përsipër konsultën mjekësore për të gjitha gratë shtatzëna të këtij vendi, deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›