Manjati amerikan,turist për herë të dytë në hapësirë
Një manjat amerikan softwaresh po planifikon të bëjë historinë në muajin mars, duke u shndërruar në turistin e parë që udhëton në hapësirë për të dytën herë. Por pas shpenzimit të 60 milionë dollarëve për gjithësej dy biletat e udhëtimit të luksit, gruaja e tij e re është shprehur se ai mendon se me kaq do t'iu japë fund dëshirave të tij, pothuajse ekstreme. Çarls Simoni, 60 vjeç, i cili ka qënë më se me fat me Mikrosoftin, është duke u trajnuar në Moskë përpara udhëtimit të tij të dytë më 26 mars, ku ai do të qëndrojë për dy javë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Ai ka treguar në një konferencë për shtyp në Star Siti se turizmi hapësinor do të zgjerohet. "Unë nuk mendoj se do të jem turisti i fundit në hapësirë. Besoj se mund të jem i fundit për disa kohë, por turizmi hapësinor do të kthehet në një biznes të suksesshëm në ditët e sotme", është shprehur Simoni. Gruaja e tij suedeze 28 vjeçare, me të cilën është martuar në nëntor të vitit të kaluar, ka treguar se udhëtimi i tij i dytë në hapësirë do të jetë i fundit i këtij lloji. "Kam vendosur të bëj një udhëtim të tillë përpara se të martohesha, dhe unë dhe gruaja ime ramë dakord se isha i aftë të fluturoja edhe një herë tjetër, por jo një herë të tretë", theksoi manjati amerikan. Aventura e tij hapësinore do ta lejojë 60 vjeçarin Simoni të shkojë një hap më tej, duke ecur për rreth gjashtë orë në hapësirë, jashtë stacionit ndërkombëtar. Simoni do të udhëtojë në hapësirë me astronautin rus Genadi Padalka dhe amerikanin Majkëll Barrat, për të cilët ai shprehet se ka besim të plotë dhe që janë heronj të vërtetë.