E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO,rivendos raportet me Rusinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer i ka rekomanduar Aleancës Veriatlantike që të rivendosë kontaktet me Rusinë në nivelin më të lartë. Rekomandimet e kreut të NATO-s u bënë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare që po mbahet në Bruksel. Raportet NATO - Rusi ishin ngrirë pas luftës së gushtit të kaluar në Gjeorgji. "Tani na duhet të diskutojmë hapat e tjerë të mundshëm, përfshirë këtu rifillimin e bisedimeve zyrtare të Këshillit NATO - Rusi. Mendoj se duhet të reflektojmë një axhendë pozitive që dëshmon rëndësinë e NATO-s dhe Rusisë në sigurinë europiane dhe globale" tha de Hop Shefer. Ndërkohë që Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton tha gjatë takimit në Bruksel se Aleanca e NATO-s ka nevojë për një fillim të ri në marrëdhëniet me Rusinë. Klinton u shpreh se NATO duhet të gjejë mënyra më konstruktive që të punojë me Moskën. Ministrat ranë dakord në takim se ishte koha e përshtatshme që të rifillojnë kontaktet në nivel të lartë me Moskën. Teksa Klinton, ka propozuar edhe mbajtjen e një konference ministrore ndërkombëtare për Afganistanin më 31 mars nën drejtimin e OKB-së. "Në Afganistan dhe Pakistan kemi një kërcënim të përbashkët, një sfidë të përbashkët dhe një përgjegjësi të përbashkët. Duke pasur në mendje të gjitha këto, Shtetet e Bashkuara propozojnë një konferencë ministrore për Afganistanin dhe sfidat rajonale më 31 mars", deklaroi shefja e diplomacisë amerikane në fjalimin e saj të parë përpara kolegëve të Aleancës Atlantike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›