E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset me thikë djali i gjyqtares, mister motivet

Një 20-vjeçar nga Fieri është plagosur me thikë mbrëmjen e së premtes. Autori, sipas policisë, ka qenë në gjendje të dehur kur ka plagosur të riun. Shkak mësohet të jetë bërë një sherr banal i lindur aty për aty mes dy protagonistëve, por po hetohet edhe për ndonjë motiv tjetër, i cili mund të ketë lidhje me profesionin e nënës së të plagosurit, e cila është gjyqtare. 20-vjeçari është në rrezik për jetën, ndërsa autori është vënë në pranga menjëherë pas ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "8 shkurti" të qytetit të Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, është plagosur me thikë shtetasi K. Sinanaj. Ky i fundit ka qenë duke hyrë në banesën e tij, e cila ndodhet në afërsi të shkollës së mesme të përgjithshme "Perikli Ikonomi", kur është qëlluar me thikë nga 42-vjeçari Xhevat Bregu. Bregu mësohet se e ka ndjekur të riun nga pas për pak minuta, pas një debati të ndodhur disa metra më tutje dhe ka mundur që t‘i afrohet sapo ai ka hapur portën e shtëpisë. Burime nga grupi hetimor i ngritur për ngjarjen tregojnë se Sinanaj është qëlluar tri herë me thikë. Ai ka marrë plagë të thella në shpatull, krahë dhe ije. Pas plagosjes, autori i krimit është larguar, ndërsa i riu është transportuar nga të afërm dhe fqinjë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Mjekët e këtij spitali e kanë futur të riun në sallën e reanimacionit, ku ndodhet edhe sot. Sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, jo vetëm për pasojë të humbjes së madhe të gjakut, por edhe për shkak të dëmtimeve të disa venave.

Ndërkohë, policia e ka identifikuar shumë shpejt autorin. Ai është arrestuar në banesën e tij disa minuta pas ngjarjes. Banesa ndodhet në po të njëjtën lagje me atë të 20-vjeçarit të plagosur. Mësohet se 42-vjeçari nuk ka bërë rezistencë kur policia e ka arrestuar, ndërsa në banesë i është gjetur edhe arma e krimit, thika, që është bllokuar në cilësinë e provës materiale. Bregu jeton i vetëm prej dy vjetësh, pasi bashkëshortja dhe fëmijët e tij ndodhen në Itali. Policia lokale ka deklaruar se në momentin e kryerjes së krimit, Xhevat Bregu ka qenë në gjendje të dehur. Pas arrestimit dhe gjatë marrjes në pyetje ai nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me ngjarjen dhe motivet e saj. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe të afërmit e të plagosurit. Duke qenë se 20-vjeçari është djali i gjyqtares Lindita Sinanaj, policia dyshon se motivi i kësaj ngjarjeje mund të lidhet me profesionin e nënës së tij. Lindita Sinanaj, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me autorin e krimit. Megjithatë, policia nuk e përjashton këtë pistë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›