E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pushon dosjen ndaj deputetit Paturri

Prokuroria e Përgjithshme ka pushuar çështjen ndaj deputetit Hajrullah Paturri, pasi Kuvendi nuk ka pranuar tri kërkesa të organit të akuzës për heqjen e imunitetit. Hetues të çështjes thanë se deputeti i Partisë Republikane, Hajrullah Paturri, u akuzua për goditje, për shkak të detyrës. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmuan se pas hetimeve disamujore janë ngritur dyshime të forta se deputeti Paturri ka kryer vepër penale ndaj arbitrit Shkëlqim Guçe, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Iliria-Albpetroli. "Nga hetimet e kryera paraprakisht, ka rezultuar se shtetasi Hajrullah Paturri, me detyrë funksionale deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur më 3 korrik të vitit 2005 në Fushë-Krujë, ka kryer elementet e veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës" ndaj arbitrit të ndeshjes së futbollit Iliria-Albpetrol, shtetasit Shkëlqim Guçe", thuhet nga burimet e prokurorisë.

Deputeti Paturri, në fund të muajit mars, pas ndeshjes Iliria-Albpetrol rrahu arbitrin lushnjar Guçe dhe më pas u shpreh krenar për këtë akt para mediave, duke pranuar rrahjen e tij. "E rraha unë arbitrin, por ai e meritoi me atë gjykim që bëri", tha Paturri para medias, duke i habitur të gjithë, pasi njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar në Parlament pranoi me krenari se kishte rrahur një arbitër, duke krijuar një precedent të rrallë në botën e futbollit shqiptar. "I gjithë shkaktari i kësaj gjendjeje është gjyqtari dhe pasojat ishin të mëdha. E vërteta është se gjyqtarin e godita unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër. Asnjë futbollist mik nuk është goditur. Jemi ndarë si miq në fund të ndeshjes", do të deklaronte Paturri, gjatë konferencës për shtyp të organizuar pikërisht për këtë çështje. Sipas prokurorisë, provat që implikojnë deputetin Paturri në kryerjen e këtij akti të shëmtuar janë: kaseta filmike e regjistruar pas ndeshjes, ku deputeti Paturri shihet qartë duke goditur arbitrin dhe duke nxitur dhunën ndaj tij, kallëzimin e arbitrit Shkëlqim Guçe, filmimet e medias ku deputeti Paturri deklaron nga foltorja e zyrave të Kuvendit se e ka rrahur arbitrin, si dhe letra e tij, dërguar Kuvendit ku kërkon falje për veprimin e kryer.

"Pas verifikimeve të këtyre provave dhe qartësimit të pamjeve filmike të regjistruar nga një kamera amatore gjatë ndeshjes Iliria-Albpetrol, është vërtetuar se deputeti Hajrullah Paturri, përveç nxitjes së dhunës ka qenë vetë edhe protagonist i saj, duke goditur arbitrin Shkëlqim Guçe pas përfundimit të ndeshjes", tha prokuroria. Sipas këtyre burimeve, këto pamje janë vërtetuar edhe nga vetë deputeti Paturri, kur doli edhe para mediave duke pranuar se është ai personi që ka goditur arbitrin Guçe për gjykim që ka bërë gjatë ndeshjes. Me gjithë fakteve të shumta, prokuroria e ka pasur të pamundur të marrë si të pandehur Paturrin, pasi gëzonte imunitet. Tri herë me radhë i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë kërkesa për heqjen e imunitetit. Por për tri herë është kthyer me "duar bosh", pasi Kryesia e Kuvendit nuk e miratoi kërkesën e prokurorisë. E ndodhur përballë kësaj situate, hetues të çështjes e kanë pushuar atë, duke krijuar një precedent të rrezikshëm të krimit VIP. Incidenti i deputetit të Partisë Republikane, Hajrullah Paturri, përfaqësues i zonës së Fushë-Krujës, ndodhi në fund të muajt mars, kur ai goditi dhe më pas pranoi publikisht se ishte ai që kishte rrahur gjyqtarin e ndeshjes Iliria-Albpetrol.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›