E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë ish-kreu i SHIK, Bashkim Gazidede

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, një nga figurat më të diskutuara, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë. Aktualisht në postin e nëndrejtorit të hipotekave, Bashkim Gazidede vuajti prej kohësh nga sëmundja e kancerit. Familjarët e tij thanë për gazetën se Gazidede mbylli përgjithmonë sytë rreth orës 18.00, pasditen e djeshme, duke lënë dy fëmijë dhe bashkëshorten. Sot paradite është njoftuar se do të kryhen homazhe në nder të tij. Sipas organizatorëve, në të do marrë pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha dhe shumë figura të tjera të shtetit dhe politikës. Që në vitin 2006, konsulta mjekësore vendosi që Gazidede të ekzaminohet dhe të mjekohet në një klinikë të specializuar jashtë shtetit dhe më konkretisht në Itali. Për këtë arsye, për të mbuluar shpenzimet e kurimit të tij jashtë shtetit, qeveria vendosi më 27 nëntor të vitit 2006 që t‘i akordonte atij një fond prej 4 milionë lekësh të reja për përballimin e shpenzimeve. Por, për shkak të kohës së shkurtër që ishte në dispozicion, kjo shumë nuk u përdor fare. Më pas, më 2 gusht të vitit të kaluar, qeveria mori një tjetër vendim të kësaj natyre, për t‘i akorduar ish-shefit të SHIK-ut nga buxheti rezervë i Këshillit të Ministrave fondin prej 5 milionë lekësh të reja, i cili, sipas ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, nuk u përdor i gjithi për arsye të protokolleve që u përdorën për mjekimin e tij. Për këtë arsye, në një mbledhje të qeverisë, u paraqit një tjetër vendim për t‘i akorduar Bashkim Gazidedes fondin prej 540 mijë lekësh të reja, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të kurimit në Itali.

Bashkim Gazidede ishte së fundi numri dy i hipotekave të Shqipërisë, por edhe pse mbajti një post dytësor, ai ishte po aq i debatuar sa në kohën kur drejtonte Shërbimin Informativ Shtetëror, nga ku u largua në pranverën e vitit 1997. Bashkim Gazidede u bë shumë i njohur pas viteve ‘90 si një nga figurat kyçe të pushtetit dhe emri i tij u lidh me shumë ngjarje, që ende kanë mbetur të pasqaruara. Ai u akuzua nga opozita se kishte organizuar dhe drejtuar shumë nga veprimet represive kundër saj. Emri i Gazidedes lidhet edhe me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Ai ishte në listën e dëshmitarëve, që Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërriste në gjyqin që është aktualisht në proces në gjykatë. Në trazirat e pranverës së vitit 1997, pas shembjes së skemave piramidale, Bashkim Gazidede mori nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, detyrën e drejtuesit të operacionit ushtarak, që do të shtypte revoltat që shpërthyen në të gjitha qytetet shqiptare. Më pas ai u largua në fshehtësi nga Shqipëria për të jetuar për vite të tëra në azil jashtë vendit, por për t‘u kthyer vetëm pas ardhjes në fuqi të Partisë Demokratike. Gazidede erdhi në Tiranë nga Stambolli pasi jetoi disa vjet në Turqi. Menjëherë pas rikthimit të tij, Kryeministri Berisha e emëroi zëvendësdrejtor të përgjithshëm të hipotekave. Edhe pse i dha një rol dytësor, Kryeministri Berisha vazhdoi ta vlerësonte si "në kohët e vjetra" atë. Mbrëmë, në adresë të familjes Gazidede kanë shkuar qindra mesazhe ngushëllimi. Edhe stafi i gazetës "Shqip" u bashkohet atyre.

Flet mbesa e Gazidedes, Blerta, e cila tregon anën tjetër të xhaxhait

"Bashkimi u flijua për punën

dhe detyrat e vështira"

Mbesa e Bashkim Gazidedes, Blerta, një ekonomiste e njohur, thotë për "Shqip" se xhaxhai i saj ishte një nga profesorët që studentët e vlerësonin jashtëzakonisht shumë. "Ishte një njeri i cili u flijua për punën dhe për përkushtimin që pati ndaj detyrës që iu caktua. Ai u përndoq gjatë gjithë kohës dhe kjo i dha edhe sëmundjen nga ku vdiq", tha Blerta, e cila e kujton se Bashkimi ishte banor në një shtëpi modeste, shumë të thjeshtë dhe e gjithë karriera që pati ishte sakrifica për të luftuar komunizmin, për të ecur përpara demokracia. "Një pedagog i shkëlqyer, një matematikan që ka botuar dhjetëra libra. Mund të them që është i vetmi pedagog që e vlerësoi fenë edhe gjatë kohës së komunizmit, pasi falej në xhami. Ai lindi në një fshat të Peshkopisë. La dy fëmijë dhe bashkëshorten. Të gjithë studentët dhe njerëzit e njohur ngriheshin në këmbë kur dëgjonin emrin e tij, pavarësisht se çfarë deklaronte media", shton Blerta e pikëlluar. Ajo vazhdon rrëfimin: "Ai la ‘trashëgimi‘ dy fëmijë, adoleshentë, mjaft të përkushtuar ndaj të atit. Sëmundja e vuri poshtë, por gjatë kohës që ka qëndruar jashtë, ka menduar për mënyrën se si Shqipëria do të zhvillohej".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›