Meta sulmon Berishën dhe Ramën: Janë një "çift i babëzitur"
Asnjë hap prapa. Ky ishte mesazhi që artikuloi dje publikisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar. Kjo strukturë e lartë vendimmarrëse mbështeti në mënyrë unanime veprimet demokratike deri grevën e urisë, në mbrojtje të votës së lirë, kundër puçit Rama-Berisha për vjedhjen e zgjedhjeve. "Unë nuk e diskutoj fare që ne do ta fitojmë këtë betejë. Ne e fituam betejën me një shtet të tërë 18 vjet më parë, kur nuk e dinim ende se çfarë ishte liria, vetëm kishim dëgjuar dhe kishim lexuar", tha Meta. Teksa kujtoi se në atë kohë dihej se nuk mund të vazhdohej më ashtu sikurse jetohej deri në dhjetor të ‘90. Ky popull, shtoi ai, që një të tretën e tij dhe pjesën më aktive e ka në Evropë dhe e ka në Amerikë, të pranojë regjimin e korruptuar të kartelit Rama-Berisha. Ish-kryeministri tha se është turpi i këtyre të dyve që provokojnë të gjithë shqiptarët në vitin 2008, që provokojnë të ardhmen e Shqipërisë në Evropë, kur dihet se çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qenë dhe mbetet kërkesë kryesore për Shqipërinë. "Këta dy zotërinj, në vend që të vrasin mendjen bashkë me ne dhe të gjithë të tjerët, sesi Shqipëria do të përballojë efektet e një krize globale financiare, kanë shqetësim si të vjedhin votën e të gjithë shqiptarëve në vitin 2009", vijoi ai. Sepse, konstatoi Meta, duhet të kuptojmë ne dhe më shumë sesa ne, duhet të kuptojnë të gjithë shqiptarët, që nuk janë me LSI dhe që kanë të drejtën e tyre të mos jenë dhe të zgjedhin alternativa të tjera: kjo nuk është një betejë për LSI, kjo është një betejë për çdo shqiptar. Rama dhe Berisha, në këndvështrimin e kreut të LSI-së, përmes eliminimit të kësaj force të madhe dhe në rritje, siç është LSI, nuk kanë thjesht problemin për të dëmtuar dhe eliminuar LSI, por kanë si preokupim të tyre për të vrarë ndjenjën e reagimit qytetar ndaj korrupsionit të tyre, ndaj arbitraritetit të tyre, ndaj babëzisë së tyre. "Shikoni se si është katandisur Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës. Njerëz që përjashtohen përditë. Njerëz që largohen përditë. Shikoni Partinë Demokratike. Përbën lajm një reagim fare normal dhe i arsyeshëm i zotit Mustafaj, që mbajti një qëndrim shumë parimor për zgjedhjet, një lajm shumë i madh kudo", nënvizoi Meta. "Ndaj, beteja për votën do të jetë betejë shumë e shenjtë! Prandaj, muaji dhjetor po afron, jo vetën nga aspekti kalendarik, por edhe politik", u shpreh Meta. Është përgjegjësi e këtij komiteti, shtoi ai, në radhë të parë, që të nisë të gjitha masat organizative, në mënyrë që çështja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira të jetë brenda pak ditësh dhe pak javësh, jo çështja më e madhe kombëtare që duhet të zgjidhim dhe do ta zgjidhim se s‘bën, por do të jetë edhe një çështje shumë e madhe ndërkombëtare.