E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Cërvenkovski fton PDSH në Parlament

Presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski ka bërë një propozim prej tre pikësh në përpjekje për të nxjerrë vendin nga kriza politike. 

Opozita prej kohësh po bojkoton parlamentin, ndaj edhe plani i Presidentit, që kryesisht i drejtohet opozitës, nënkupton mosnënshkrimin e disa ligjeve të miratuara nga maxhoranca. Në këtë mënyrë ligjet do të ktheheshin për rishqyrtim në parlament. Oferta i bëhet PDSH-së të Menduh Thaçit, që pas procesit zgjedhor ka bojkotuar seancat, sepse nuk pranon rezultatin. Presidenti për kthimin e kësaj partie në parlament, thotë se nuk do të firmosë ligjin për gjuhën shqipe, duke u mbështetur në deklarimet publike të PDSH-së, se ajo do të marrë pjesë në punë e ligjvënësit kur do të diskutohet çështje shqiptare. PDSH nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të parlamentit të ri. Një nga propozimet më të diskutueshme i bëhet LSDM-së. Presidenti Cërvenkovski sugjeron mundësinë për të anuluar vendimin e gjykatës, nëse nënkryetari i LSDM-së, z. Zoran Zaev, i cili është nën akuza për korrupsion dhe për momentin është i burgosur, mund të gjendet fajtor. Në një konferencë për shtyp, Cërvenkovski tha se është i vetëdijshëm për rrezikun që po ndërmerr. “Nëse qeveria, kryeministri, VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë propozim më të mirë ndaj PDSH-së dhe LSDM-së, për të kthyer në normalitet demokracinë parlamentare, atëherë harrojeni këtë propozim. Por nëse nuk ka asnjë propozim, atëherë jam i gatshëm të ndërmarr këtë rrezik dhe të përballem edhe me kritikat”, tha ai. Partitë e maxhorancës janë shprehur kundër propozimeve të Presidentit Cërvenkovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›