E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, MASH-i publikon udhëzimin për vitin e ri akademik



Jonida Tashi

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik Ministria e Arsimit bën publik udhëzimin për studimet e larta. Kreu Ministrisë së Arsimit, Fatos Beja, ka nxjerrë udhëzimin e fundit për strukturën e fillim vitit në institucionet publike të Arsimit të Lartë, si dhe masat për zbatimin e tij. Ky udhëzimi, është bërë publik dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Udhëzimi i MASH-it për vitin akademik 2008-2009 që është dërguar dje, në të 11 universitetet publike të vendit, përcakton dhe kohën e fillimit të programeve të ciklit të dytë si dhe të masterave. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, masterat dhe studimet part-time do të nisin në datën 10 nëntor të këtij viti.
Masterat
Viti i ri akademik për 22 mijë studentët e rinj në universitetet, do të nisë në datën 13 tetor dhe do të përfundojë më 30 shtator 2009. Dërgimi i këtij udhëzimi në Rektoratin e Universitetit të Tiranës ka dhënë më shumë shpresa për nisjen e studimeve master dhe për fakultet të dytë, që deri tani kanë mbetur pezull nga mosmarrja e vendimit të qeverisë për kuotat dhe tarifat për këto studime. Në udhëzim është përcaktuar që studimet për programet e studimit të ciklit të dytë, diploma të nivelit të dytë dhe programet e studimit “Master i nivelit të parë” me kohë të plotë, do të fillojnë në datën 10 nëntor 2008 dhe do të mbyllen më 30 shtator 2009. Të njëjtat afate janë vendosur edhe për studimet me kohë të pjesshme dhe ato në distancë.
Fakultetet
Ndërkohë që të gjitha fakultetet brenda datës 10 nëntor, duhet të njohin studentët me pjesët e statutit që përcaktojnë treguesit e programeve të studimit, rregulloren mësimore të fakulteteve dhe rregulloren e programit të studimit në të cilin ata janë regjistruar. Ndërsa përsa i përket regjistrimit të studentëve në formë elektronike Kule, ka sqaruar se kodet e studentëve të regjistruar në këtë formë do t’i dërgohen MASH-it deri më datën 15 dhjetor. Sipas Kules, ndarja e grupeve mësimore për të gjitha nivelet e studimit dhe përgatitja e regjistrave do të mbyllen deri në 10 tetor. Gjithashtu, brenda kësaj date do të miratohet edhe plani kalendarik i lëndëve që zhvillohen në programet e studimit me kohë të plotë, ndërsa kalendari i lëndëve në programet me kohë të pjesshme do të përfundojë më 6 nëntor.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›