Strauss Kahn në gjyq: jam i pafajshëm
Ish kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Strauss Kahn, ka deklaruar se është i pafajshëm, para një gjykate amerikane, në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij për përpjekje përdhunimi ndaj një punonjëse hoteli në Nju-Jork muajin e kaluar. Straus Kahn, i cili shoqërohej nga gruaja dhe stafi i tij ligjor, u prit nga një grup grash të veshura si punonjëse hoteli që thërrisnin “Të të vij turp”. Seanca tjetër dëgjimore ndaj tij është planifikuar për më 18 korrik. Strauss Kahn është akuzuar për sulmin ndaj një emigranteje 32-vjeçare afrikane muajin e kaluar, kur ajo pat shkuar për të pastruar suitën e tij në hotelin ‘Sofitel’ të Nju-Jorkut. Strauss Kahn dha dorëheqjen si drejtues i FMN-së pak ditë mbasi u arrestua, më 14 maj, në një aeroplan të linjës ajrore Air France, pak minuta përpara se të nisej nga Nju-Jorku për në Paris. Ai ka qenë në arrest shtëpiak që kur u lirua nga burgu muajin e kaluar me një garanci prej 6 milionë dollarësh. Nëse gjendet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij, 62-vjeçari Strauss Kahn mund të dënohet deri me 25 vjet burg.