Maqedoni, ekspertët japin alarmin për krizë, shkak kriza politike
Blerina Olldashi
Maqedonia rrezikon të destabilizohet dhe shkak për këtë është kriza mes dy grupeve partiake më të mëdha ndëretnike në vend, Partisë Demokratike Shqiptare të kryesuar nga Menduh Thaçi dhe VMRO-DPMNE-së maqedonase, e cila ka shumicën në parlament. Thaçi bëri të ditur dje se brenda disa ditëve, partia e tij do të kthehet në lëvizje kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë dhe zhgënjimi që ka marrë kjo parti, nuk do të bëhet shkak për heqjen dorë nga mbrojtja e të drejtave të bashkësisë që përfaqëson. Pas braktisjes së Parlamentit nga PDSH-ja, ekspertët dhe organizatat e ndryshme joqeveritare japin alarmin se situata në Maqedoni është mjaft delikate dhe pasqyrë e saj është konflikti ndëretnik më i fundit, ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në një lagje të Shkupit. Thirrje u bëhet organeve shtetërore, që të merren masat e nevojshme për të parandaluar një krizë të mundshme në vend. Kryetari i Lëvizjes “Zgjohu”, Artan Grubi thotë konfliktet mes grupeve të të rinjve mund të quhen ndryshe helm ndëretnik që dëmtojnë rëndë shoqërinë dhe zhvillimin e saj. Ndërkohë Artan Grubi shprehet se gjatë periudhës që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, është punuar shumë pak për krijimin e një tolerance të mirëfilltë mes dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni. Ai thotë se incidentet janë pasojë e raporteve jo të mira mes partnerëve të koalicionit qeveritar. “Incidenti buron drejtpërdrejt nga marrëdhëniet e këqija ndëretnike, që janë në koalicionin qeveritar mes partnerëve maqedonas dhe shqiptarë. Injoranca që partneri maqedonas u bën marrëdhënieve ndëretnike, tani ka pasoja tek qytetarët e thjeshtë dhe tek gjithë shoqëria. Më duhet të them se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë, pasojë e veprimeve të shpallura nga ana e VMRO-DPMNE-së në vitin 2006 për marrëdhëniet ndëretnike”,- tha Grubi. Anëtarët e PDSH-së menjëherë pas bojkotimit të Parlamentit bënë të ditura arsyet që i shtynë të merrnin këtë vendim. Sipas tyre forcat që udhëheqin vendin, përdorin si mbulesë shtetin dhe institucionet për interesa partiake dhe personale. Ato më pas shfaqen në trajtat e nacionalizmit dhe korrupsionit të gjerë duke anashkaluar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Maqedoni. Konfliktet ndëretnike në këtë vend i kanë fillesat që në shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë, kohë në të cilën u kërkua marrëdhënia shumicë-pakicë. Përjashtime kanë ndodhur vetëm gjatë periudhave të shkurtra të bashkëqeverisjes së PDSH-së me VMRO-në gjatë viteve 1998-2000 dhe 2006- 2008. Çuditërisht, këto koalicione kanë zgjatur shkurt, për shkak të ndërhyrjes jashtëinstitucionale. Pas konfliktit të vitit 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit e cila u mendua të siguronte të drejta të pashmangshme për shqiptarëve, por në të vërtëtë u konsiderua e rëndësisë së dytë nga partitë maqedonase.
e
19 Gusht 2009