E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja me Borgradin, EULEX-i “fshihet” pas letrës së Sejdiu



Pas konfirmimit se do të nënshkruajë një marrëveshje me Beogradin, misioni i BE-së EULEX e justifikon veprimin me një letër që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka dërguar një vit më parë Havier Solanës ku u ra dakord për kompetencat e minionit. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, ky mision ka njoftuar se kjo është një marrëveshje që do të nënshkruhet edhe me vende të tjera dhe ka si qëllim të shkëmbehen informacione në nivelin e policisë, pjesë e të cilave do të jetë edhe Policia e Kosovës. Megjithatë, zëdhënësi i presidencës Xhavit Beqiri ka thënë se përsa i përket marrëveshjeve dhe çështjeve, të cilat prekin interesat e Kosovës, kompetente janë vetëm institucionet e vendit. “Letra që presidenti Sejdiu i ka dërguar BE-së për vendosjen e misionit të saj në Kosovë ka qenë për mbështetjen që kanë nevojë institucionet nga Bashkim Europian, në rend të parë për sundimin e ligjit”,- ka thënë Beqiri. Dy ditë më parë, përfaqësuesit e EULEX-it sqaruan se marrëveshja do të mundësojë këmbimin e informacioneve me Serbinë në nivel policor. Për këto veprime, më pas do të vihej në dijeni edhe Policia e Kosovës. Por autoritetet në vend e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje sepse sipas tyre, vetëm institucionet mund të marrin vendime të rëndësishme dhe të nënshkruajnë marrëveshje me shtetet e tjera. Zyrtarët në Beograd bënë të ditur se protokolli është gati dhe gjithçka është programuar sipas Rezolutës 12 44.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›