Mjeku Boçi: ”ISKSH-ja nuk rimbursoi protezat e zërit”
ISKSH-ja nuk rimbursoi protezat e zërit, pas kërkesës së bërë nga mjekët e Spitalit Francez në QSUT. Mjekët e ORL-së pranë Spitalit Francez në QSUT, rreth 6 muaj më parë hartuan një draft me kërkesat për rimbursimin e protezave të zërit për pacientët që kryejnë ndërhyrjen kirurgjikale. Drafti u dorëzua pranë ISKSH-së, kohë më parë, por ende nuk është marrë një përgjigje përfundimtare, megjithëse në listën e rimbursimeve për 2009-ën nuk ishte përcaktuar asgjë. Specialisti i ORL-së, Besim Boçi shprehet për gazetën “Albania” se kostoja që nevojitet për të blerë protezën e zërit është 500 euro. Sipas tij, kur proteza vendoset për herë të parë kostoja shkon në 500 euro, ndërsa kur ndërrohet çdo gjashtë muaj apo një vit kushton 350 euro. Por, pacientët nuk i kanë mundësitë të blejnë vazhdimisht protezën dhe rrezikojnë jetën. Ndërkohë që, mjekët raportojnë se janë rreth 50 raste në vit që kërkojnë një ndërhyrje të tillë kirurgjikale dhe proteza duhet ndërruar çdo gjashtë muaj apo një vit. Për këtë arsye, 4 nga specialistët e ORL-së që merren me teknikën e re të futur prej 1 viti në këtë qendër, kërkojnë nga institucionet shëndetësore ndihmë për pacientët në nevojë. Ata kanë kërkuar që ISKSH-ja të marrë përsipër rimbursimin e 50 të sëmurëve, duke hequr një kosto prej 1 mijë eurosh për person. Në këtë mënyrë, pacienti të mbulohet nga shteti për shpenzimet e dy viteve, pasi është e pamundur që ata t’i heqin vetë shpenzimet për blerjen e protezave. Po kështu, kërkojmë trajnimin e veçantë të mjekëve për t’u specializuar në teknikat e fundit. Në Shërbimin ORL-së pranë spitalit Francez prej gati 50 vitesh trajtohen patologjitë tumorale të laringut. Trajtimi i këtyre patologjive konsiston në heqjen e pjesshme të laringut kur tumori është në stadet fillestare, dhe në heqjen e plotë të tij kur tumori është në stade të avancuara. Mjekët e ORL-së vetëm prej shtatë muajsh kanë realizuar rreth 14 operacione për vendosjen e protezave të zërit. Falë kësaj ndërhyrje të laringut atyre iu rikthehet zëri në masën 70-80 për qind. Në rastet kur laringu hiqet plotësisht, pacienti ngelet pa zërin e tij dhe pa mundësi komunikimi. Proteza mund të vendoset edhe tek të sëmurët që e kanë hequr më përpara laringun. Pacientët i blejnë vetë protezat pasi ato kanë një kosto të lartë dhe mjekët e ORL-së, i vendosin ato kur kryejmë operacionin. Protezat sigurohen nga një kompani Suedeze “Provox”, që ka një pikë distribucioni në Kosovë. Specialistët sqarojnë se proteza e zërit duhet të ndërrohet në mënyrë periodike sepse nëse tejkalohet mbajtja e saj më tepër se afati i caktuar mund të shkaktohen probleme të shumta tek pacientët. Kështu, nëse pacienti e mban më tepër se afati i përcaktuar nga mjeku, ai rrezikon të mbytet nga ushqimi. Kështu që pacientët duhet ta ndërrojnë atë çdo 6 muaj apo një vit për të qenë më të sigurt për shëndetin e tyre. Por, mundësitë e tyre nuk mund ta përballojnë këtë kosto të lartë dhe ndërrimin e herëpashershëm të saj. Kjo bëhet shkak që mjekët të kërkojnë ndihmën e institucioneve shëndetësore për përballimin e situatës dhe ndihmesën që mund t’iu jepet të gjithë të sëmurëve për t’iu rikthyer zërin.
19 Gusht 2009