E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, kërkohet rishikimi i teksteve që fyejnë shqiptarët

SHKUP- Shqipëtarët në Maqedoni kanë kërkuar rishikim të teksteve shkollore ku janë vërejtur gabime teknike si dhe fraza fyese ndaj kombit shqiptar duke e cilësuar atë si popull i egër, i cili ka zbritur nga malet.

Mediat vendase bëjnë me dije se kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni Nuhi Dardhishta ka kërkuar që të bëhet rishikimi i të gjitha teksteve shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm sipas modelit arsimor të vendeve të zhvilluara të Europës.

“Këtë vit është aprovuar rishikimi i teksteve të reja për klasën e gjashtë të arsimit fillor. Mbetet që vit pas viti tekstet të përmirësohen. Por ne kërkojmë që brenda një viti të rishikohen dhe të ndryshohen të gjitha tekstet shkollore, në mënyrë që të gjithë fëmijët të pajisen me libra të rinj. Të gjithë duhet të kenë libra pa gabime dhe me të vërteta për të gjitha lëndët mësimore”,- thekson Dardhishta.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Nikolla Todorov ka deklaruar se çështja e rishikimit të teksteve shkollore është proces i vështirë dhe për këtë arsye janë angazhuar ekspertët të arsimit, por për të arritur efektin e dëshiruar nevojitet punë dhe kohë.

Agjencia e lajmeve INA bën me dije se në librin e Shoqërisë për klasën e pestë, theksohet se Maqedonia kufizohet vetëm me Serbinë, por jo edhe me Kosovën.

Në librin e Gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme shkruhet se “vendosja e shqiptarëve në Maqedoni ka filluar para 220 vjetëve, nga Shqipëria dhe Kosova dhe kjo shpërngulje ende vazhdon dhe paraqet rrezik për Maqedoninë”.  Ky libër gjithashtu thekson se fiset shqiptare kanë prejardhje maqedonase, turke apo edhe rome.
(e.m/INA/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›