E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, nis votimi për qeverinë e re

Sot në Maqedoni nis votimi për parlamentin dhe qeverinë e re të vendit, në zgjedhjet e parakohshme të cilat u aspiruan nga debati për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dështimi për marrjen e ftesës për në NATO dhe dështimi i zgjidhjes së konfliktit të emrit me Greqinë nga qeveria ekzistuese. 

Zgjedhjet e reja u vendosën pasi koalicioni qeveritar u dobësua pas tërheqjes prej tij të partisë së madhe shqiptare, PDSH, për të cilën Kryeministri Gruevski, i parashikuar nga sondazhet si fitimtari më i mundshëm i këtyre zgjedhje, ka deklaruar se dëshiron ta ketë përsëri në koalicionin e ri qeveritar. Por kjo ka ngjallur një konflikt të hapur me partinë tjetër rivale shqiptare, BDI, e cila shihet si më e përkrahur nga shqiptarët e Maqedonisë me pothuajse dyfishin e votave. E gjithë kjo është pasqyruar në fushatën zgjedhore të mbushur me incidente me thika, armë e granata mes rivalëve shqiptarë. Fundi i fushatës zgjedhore, shënuar mbrëmjen e së premtes, vijoi i qetë edhe në mitingjet e dy partive, përkatësisht BDI-së në Tetovë dhe PDSH-së në Shkup. Në garën zgjedhore kanë hyrë 18 subjekte dhe dy koalicione. Dy koalicionet janë të formuara nga partitë kundërshtare në politikën maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate. Ndërsa partitë politike shqiptare nuk kanë formuar koalicione parazgjedhore. Mes shqiptarëve konkurrojnë Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Partia e Prosperitetit Demokratik, Bashkimi Demokratik Kombëtar dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar. Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve MIA, të drejtë vote kanë 1.779.116 votues, të cilët në 2.976 vendvotime do të mund të deklarohen për 18 lista me 1.540 kandidatë për 120 vende për deputetë në Kuvendin e Maqedonisë. Dje kanë pasur mundësi të votojnë 1.929 njerëz, të cilët janë në paraburgim ose në vuajtje të dënimit në burg, si dhe 542 persona të zhvendosur. Zgjedhjet do të zbatohen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Në secilën prej tyre duhet të zgjidhen nga 20 deputetë. Për raportimin e situatës zgjedhore janë akredituar rreth pesëdhjetë gazetarë, (18 nga Greqia, 7 nga Bullgaria, 6 nga SHBA, si dhe nga Belgjika, Franca dhe Sllovenia, Kroacia, Kina dhe Hungaria). Zgjedhjet do t’i vëzhgojnë 464 vëzhgues të huaj dhe 5811 vendas. 317 nga vëzhguesit e huaj janë të OSBE/ODIHR, 35 të ambasadës së SHBA-së, 24 të delegacionit të Komisionit Evropian dhe 15 të Këshillit të Evropës. Monitorues do të kenë edhe ambasadat e Francës, Sllovenisë, Britanisë së Madhe, Çekisë, Austrisë dhe Sllovakisë në Shkup, si dhe Komisioni Zgjedhor Qendror nga Kosova. Rezultatet e para zyrtare, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të bëhen publike 48 orë pas mbylljes së kutive të votimeve.

SHBA-BE, apel për zgjedhje të qeta

BE dhe SHBA kanë bërë thirrje për zgjedhje korrekte dhe demokratike, sipas standardeve ndërkombëtare në Maqedoni. Në një konferencë për shtyp, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni, Xhilian Millovanoviç dhe ambasadori i BE-së, Ervan Fuerre, apeluan për qetësi dhe frymë demokratike. “Shpresojmë se qytetarët dhe liderët politikë do të tregojnë kapacitet dhe vullnet për zbatimin e zgjedhjeve, që do t’i kënaqin standardet ndërkombëtare, me çka do t’i përparojnë aspiratat e vendit për integrim në BE dhe NATO”, tha Millovanoviç, duke apeluar tek të gjithë qytetarët për të shfrytëzuar të drejtën e votës, që ta përforcojnë demokracinë në Maqedoni dhe të ndihmojnë në ndërtimin e ardhmërisë së saj. Ajo kërkoi nga autoritetet që të sanksionojnë ashpër shkeljet zgjedhore. BE dhe SHBA kërkuan që liderët e të gjitha partive politike, anëtarët e partive dhe simpatizantët e tyre, t’i përmbahen kodeksit për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Përfaqësuesi i BE-së, Fuerre, theksoi përkrahjen e BE-së për zbatimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. “Jemi të bindur se procesi i nesërm do të zhvillohet në drejtim të zgjedhjeve të lira dhe korrekte”, tha Fuerre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›