Maqedoni, regjistrimi lëkund koalicionin qeveritar
Regjistrimi i popullsisë ka vënë në provë marrëdhëniet mes koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI në Maqedoni.
Ndryshimet e reja në ligjin për regjistrimin e popullsisë, caktimi i datës dhe vlerësimi që do të dalë në mbledhjen e qeverisë lidhur me dështimin e këtij procesi që ka nisur më 1 tetor, pritet të ketë një debat të nxehtë në kabinetin qeveritar.
Qeveria maqedonase pritet të vendosë për ndryshimin e ligjit, ku siç është paralajmëruar do të evitohen parregullësitë dhe problemet e tjera që janë hasur nga 10 ditëshi i regjistrimit të deritanishëm. Këto ndryshime do t`i dorëzohen menjëherë Parlamentit, ndërsa nuk përjashtohet edhe caktimi i datës për mbajtjen e tij.
Debati për ndryshimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë do të përfshijë edhe partitë e opozitës gjatë seancave parlamentare. Lidhur me dështimin e operacionit të filluar me 1 tetor, akoma nuk ka shprehur qëndrimin misioni evropian EUROSTAT.