Maqedoni/Këshilli redaktues i enciklopedisë do publikohet në 10 janar
Përbërja e re e këshillit redaktues për hartimin e Enciklopedisë së re, e cila nuk dihet ende se cilin emërtim do të ketë, "maqedonase" apo e "Maqedonisë", do të zgjidhjet më së shumti në një afat deri në 10 janar, kur pritet edhe konstituimi i saj përfundimtar. Një lajm i tillë është bërë i ditur nga kryetari i i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), Georgi Stardelov, i cili ka njoftuar se formimi i redaksisë është në proces e sipër. Ai nuk ka saktësuar se çfarë do të bëhet me "Enciklopedinë Maqedonase" tanimë të publikuar që mban vulën e kryeredaktorit dhe akademikut Risto Bllazhevski.
"Në akademi ka nisur debati për materialin e mbetur. Po zhvillohen diskutime për të ardhmen e këtij materiali. Gjithçka do të vendoset në Kuvendin e ASHAM, i cili do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm, kur do të zgjidhet edhe redaksia e re dhe do të pasojë vendimi se çfarë do të bëhet me enciklopedinë tashmë të publikuar", ka theksuar akademiku Stardelov, i cili sërish ka përgënjeshtruar se po vazhdon shitja e kopjeve të ngelura të "Enciklopedisë Maqedonase", aq të diskutuar në vend por edhe me gjerë.