E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia dënon deklaratën e Karamanlisit

 

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka refuzuar të pranojë arritjen e ndonjë zgjidhjeje konkrete, apo qoftë edhe shqyrtimin e propozimeve të emrit në bisedimet me palën greke, para se të përfundojnë zgjedhjet në Greqi, ato për Parlamentin Evropian. Deklarata e Gruevskit erdhi pas reagimit pozitiv nga Greqia për propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimiç. Ambasadori grek në Shtetet Bashkuara, Aleksandar Malas, ka vlerësuar se propozimi i fundit i Nimiç, Republika e Maqedonisë Veriore, është një zgjidhje e mirë. “Më në fund në procesin e negociatave me Shkupin është bërë një propozim i mirë, për të gjetur kompromisin për emrin me fqinjin tonë”, tha Malas gjatë një konference kushtuar politikës së SHBA-së në Ballkan. Por pala maqedonase nuk mendon kështu. “Zoti Nimiç duhet të presë të përfundojnë zgjedhjet në Greqi dhe të krijohen kushte për negociata normale. Deri atëherë ndoshta do të ketë ndonjë komunikim, megjithatë nuk do të ketë diçka të madhe e serioze në atë drejtim”, tha kryeministri Nikolla Gruevski. Ai kërkoi nga homologu i tij grek, Kostas Karamanlis, të mos përdorë fjalor që i tensionon marrëdhëniet dypalëshe. Një ditë më parë, kryeministri grek theksoi se pasaporta e Maqedonisë për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike do të jetë një emër i përbërë, me referencë gjeografike, që do të përdoret kundrejt të gjithëve dhe jo vetëm në marrëdhëniet me Greqinë. “Kjo nuk është gjë e re prej tij, vazhdimisht fokusohet në këto gjëra, unë fokusohem për zgjidhje të problemit dhe jo në zënka. Do ta ftoja edhe atë që të mos merret me zënka, të mos merret me historinë, por të merret me gjetjen e zgjidhjeve, të cilat do të jenë të pranueshme për të dyja palët dhe për qytetarët e dy vendeve”, tha Gruevski. Diplomatë perëndimorë të akredituar në Shkup kanë kërkuar që qeveria maqedonase pas përfundimit të procesit zgjedhor, që u vlerësua si pozitiv, ta shpejtojë procesin për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë rreth emrit kushtetues të vendit, duke evituar pengesën e fundit të Maqedonisë drejt integrimit të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›