E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi i makinës, burg e gjoba zyrtarëve

 

TIRANE – Gjykata i shpalli fajtorë tre prej personave që abuzuan me tenderin e blerjes së një makine, për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë. Dënimet ndaj tyre varionin me burg dhe me gjobë, ndërsa firma që shiti automjetin përveç gjobës, humbi të drejtën e pjesëmarrjes në prokurimet publike për një vit. Vendimi në ngarkim të Sami Bricit, Voltan Sherit, Leart Qendros dhe firmës “Brici sh.p.k” u dha dje nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Sipas vendimit, Sami Brici u dënua me 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë; Voltan Shehu me 6 muaj burg dhe 224 mijë lekë gjobë dhe Leart Qendro me 7 muaj e gjysmë burg dhe 300 mijë lekë gjobë. Ndërsa firma “Brici sh.p.k” u gjobit me 450 mijë lekë dhe për një vit humbi të drejtën e pjesëmarrjes në prokurimet publike. Ngjarja për të cilën u dërguan në gjykatë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë është shënuar më 28 shkurt të vitit të kaluar. “Strumbullari” i shkeljes së ligjit ka qenë në procedurat e tenderimit, të bërë për blerjen e një makine për nevojat e ministrisë. Nga firmat pjesëmarrëse në tender, fituese ka dalë firma “Brici sh.p.k”. Sipas prokurorisë, firma fituese kishte paraqitur dokumente të falsifikuara në tender. Dokumenti i falsifikuar ishte dokumenti që tregonte llogarinë e firmës në një nga bankat e nivelit të dytë në vend. Kjo, pasi për të marrë pjesë në tender duhej paraqitur një shumë e caktuar në llogarinë bankare në formën e garancisë. Pas hetimeve rezultoi se dokumenti ishte falsifikuar dhe ai nuk paraqiste shumën reale që zotëronte firma. Sami Brici, firma e tij “Brici sh.p.k.”, Leart Qendro dhe Voltan Sleni akuzoheshin për “falsifikim dokumentesh”. I njëjti hetim dërgoi në gjykatë edhe zyrtarët e ministrisë: mjekun Maksim Bozo, juristin Aleksandër Lipiani dhe ekonomisti Edi Vesho për akuzën “shkelje të barazisë në tenderë”; noteren Majlinda Demollari për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Çështja e tyre u veçua nga të tjerët pas fillimit të gjykimit.                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›