Prishtina refuzon Madridin: Nuk devijojmë nga “Ahtisari”
Kosova ka reaguar negativisht ndaj propozimeve të Fondacionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog të Jashtëm me seli në Madrid, i cili kërkon ndryshime në planin e Ahtisarit.Presidenti dhe kryeministri i Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë ide, duke theksuar se “Kosova nuk do të shmanget nga zbatimi i planit të Ahtisarit, pasi ai paraqet një marrëveshje, por edhe kompromis që Kosova ka bërë për të arritur shtetësinë e saj”. Sipas Fondacionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Madrid, plani “Ahtisari” duhet të zëvendësohet me një plan alternativ për të qenë më i pranueshëm edhe për palët e tjera, përveç Kosovës. Sipas presidentit Fatmir Sejdiu, kjo çështje tashmë është e mbyllur dhe se Kosova po zbaton dhe do të vazhdojë ta zbatojë planin e Ahtisarit, në marrëveshje me miqtë e saj ndërkombëtarë. “Kosova mendon ashtu siç ka menduar Evropa bashkë me Kosovën. Ne kemi kapërcyer një proces të madh, të gjatë kohor dhe shumë të vështirë të kompromiseve të mëdha dhe në bazë të këtij projekti, doli deklarata e njohjes së Republikës së Kosovës, ku nënvizohet projekti Ahtisari. Ne jemi besnikë se do ta realizojmë, jemi zotuar, nuk e kemi me hile”, tha Sejdiu. Edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se plani i Ahtisarit i ka hapur rrugën pavarësisë së Kosovës, e cila sot është njohur nga vendet më të fuqishme botërore dhe e cila synon që të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike. “Plani i Ahtisarit është ai që është dhe plani për Kosovën evropiane është vizion i institucioneve të Kosovës, është vullneti i popullit dhe është mbështetje ndërkombëtare, që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, theksoi Thaçi. Një analizë e këtij Fondacioni ka vlerësuar se politikat evropiane në raport me Kosovën dhe Serbinë duhen rishqyrtuar.