E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia kërkon zgjidhjen e demarkacionit me statusin

• Maqedonia ka kërkuar nga Kosova zgjidhjen e çështjes së demarkacionit bashkë me statusin, sipas planit të Ahtisarit, i cili këshillon mos-ndryshimin e kufijve.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi dje në Shkup një takim të papritur me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski. "Hashim Thaçi kërkoi takim jozyrtar, në të cilin do të këmbenim mendime për situatat. Biseduam për demarkacionin e kufirit dhe për procesin që në atë drejtim duhet të ndiqet", tha Gruevski, duke shtuar se Maqedonia po e ndjek situatën me kujdes e do të veprojë në pajtim me interesat e qytetarëve të saj. Më pas, kreu i qeverisë maqedonase zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, mbi ngjarjet aktuale në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe. Tadiç ka kërkuar mirëkuptimin e Maqedonisë për situatën në Serbi.  Ndërsa Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski, ka deklaruar se Maqedonia në lidhje me Kosovën do të ndjekë politikën e Brukselit. "Nuk do të jemi me siguri në mesin e të parëve që do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Ka edhe çështje që me marrjen e vendimit duhet të merren parasysh. Një nga ato çështje është demarkacioni i kufirit në pjesën me Kosovën, që është pjesë e planit të Ahtisarit", tha Cërvenkovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›