Maqedonia, kryeson vendet e Ballkanit për liberalizimin e vizave
Maqedonia ka marrë nota pozitive në raportin e grupit të ekspertëve të KE-së lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave. Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Eruan Fuere ka theksuar se në listën e vendeve me arritje pozitive gjenden edhe dy shtete tjera të Ballkanit, por për to nuk është e sigurt nëse do të rekomandohet liberalizimi i vizave.
Ndërsa për qytetarët maqedonas është më se i sigurt fakti se nga 1 janari i vitit të ardhshëm ata pritet të udhëtojnë lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Në raportin e grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian për arritjet e vendeve të Ballkanit për liberalizimin e regjimit të vizave, Maqedonia ka marrë nota kaluese dhe është renditur në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përpjekjet që ka ndërmarrë Maqedonia në procesin e reformave të domosdoshme na inkurajuan për të marrë një vlerësim të mirë për liberalizimin e regjimit të vizave. Gjithashtu na inkurajon fakti se Maqedonia renditet e para në listë dhe është në epërsi në krahasim me vendet tjera të Ballkanit. Kur të vijë koha e vendimmarrjes për heqjen e vizave kjo do të jetë një mirënjohje për përpjekjet e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Maqedoni, Erëan Fuere. Deri tani në Maqedoni janë dhënë rreth 450 000 pasaporta biometrike dhe mbi 1 milion dokumente të tjera biometrike, që e bëjnë vendin të kryesojë në rajon sa u përket përmbushjes së standardeve që i kërkon BE-ja nga vendet për t'i futur në listën e bardhë të Shengenit.