PS, Bushati: Qeveria Berisha penalizoi shqiptaret për lëvizjen e lirë
Raportit kritik të KE-së për liberalizimin e vizave, i cili e rëndit Shqipërinë në vendin e fundit në Ballkan në realizimin e reformave, e ka komentuar edhe kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në përmbushjen e standardeve që ka vendosur Bashkimi Evropian, për migracionin e ligjshëm dhe të lirë të shqiptarëve.
Bushati u shpreh se në vitin 2005 gjatë fushatës elektorale, qeveria e Sali Berishës u premtoi shqiptarëve se do të udhëtonin pa viza në hapësirën Shengen që në vitin 2006, por Raporti i fundit i Komisionit Evropian na bën të qartë si drita e diellit se qeveria aktuale e Partisë Demokratike ka dështuar në përmbushjen e standardeve, duke i dhënë një goditje të fortë ëndrrës së hershme të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në vendet e Bashkimit Evropian. Raporti i Komisionit Evropian konfirmon se: Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht ne përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe komunitetit rom, u shpreh gjatë fjalës së tij, Bushati. Veç të tjerave, duke u ndalur në punën e qeverisë për 4 vitet në pushtet, Bushati shtoi se qeveria e Berishës mban përgjegjësi direkt për klimën konfliktuale e paditë penale nga eksponentë të mazhorancës ndaj prokurorisë së përgjithshme në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, duke penalizuar kështu shqiptarët nga përfitimi i një regjimi pa viza, siç pritet të ndodhë me qytetaret Maqedonisë, Serb e Malazez. Më tej ai deklaroi para opinionit publik se qeveria e socialistëve e pas 28 qershorit do të jetësojë ëndrrën evropiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet te gjitha standardet. Lëvizja e lirë brenda hapësirës Shengen do ti krijojë mundësi të jashtëzakonshme studentëve dhe kërkuesve shqiptare për të përfituar nga programet e shkëmbimit me universitetet Evropiane, do ti krijojë mundësi sipërmarrësve shqiptarë të eksplorojnë tregun rajonal dhe atë evropianë, duke konkurruar denjësisht me shërbimet e tyre. Mbi të gjitha, do ti krijojë mundësi qytetarëve shqiptarë të njohin më mirë e të përqafojnë vlerat evropiane, përfundoi Bushati.