Maradona-Argjentina, lamtumira është gjithnjë e më pranë
Alarmi Maradona! Dukej gjithçka e mbaruar mes Diegos dhe Federatës Argjentinase, me një rinovim 4-vjeçar të gatshëm për t’u firmosur. Por takimi i parashikuar për dje mes teknikut dhe presidentit të AFA-së, Hulio Grondona, mund të mos ketë shkuar siç duhej. Pas rreth një ore bisedime, Diego ka dalë pa dhënë asnjë deklaratë. Një shenjë e keqe. Sipas medias argjentinase, trajneri i ka prezantuar Grondonas një listë me 15 pika. Pjesa më e madhe e tyre është pranuar nga Grodona, por jo të gjitha. Dhe kjo mund të ketë vënë gjithçka në dyshim, aq sa disa nga gazetat lokale flasin për një tym të zi (Olè e jep për të sigurt lamtumirën). Dhe tashmë kanë filluar të qarkullojnë emrat e zëvendësuesve të mundshëm: Karlos Bianki është në krye, i ndjekur nga Sabela, Simeone e Batista. Më pak të praktikueshme duken rrugët që të çojnë te Marselo Bielsa dhe Gerardo "Tata" Martino. Para takimit, Maradona kishte detajuar kushtet e tij për rinovimin e kontratës: “E rëndësishme është që të mos i preket asnjë fije ndonjërit prej djemve të mi, qoftë ky lojtar apo edhe masazhator. Dëshiroj ta vazhdoj aventurën, por jo me cilindo. Kam zgjedhur këta persona, dua të vazhdoj të punoj me ata”. Gjatë mbrëmjes është njoftuar se qëndrimi ose jo i Maradonës është shtyrë për sot. “Komiteti ekzekutiv i AFA-së do të mbyllet nesër (sot) dhe presidenti i saj, Huan Grondona, do të japë vendimin rreth takimit me Maradonën”, tha dje zëdhënësi i federatës albiçeleste.
#