E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maradona për kurime në Kolumbi

11/02/2005  Tashmë Diego Armando Maradona, ka filluar të ndërmarrë edhe një tjetër udhëtim të rëndësishëm. Pasi ka lënë Kubën, ku ishte sistemuar aktualisht, ish-kampioni i futbollit argjentinas ka pranuar të transferohet në shtetin e Kolumbisë. Ai është zhvendosur pikërisht në qytezën e Kartagjenës, rreth 1100 km nga kryeqyteti kolumbian, Bogota. Në këtë ambient të ri duket se ai do t’i nënshtrohet një trajtimi rehabilitues prej gati 10 ditësh, ku do të përfshihen disa seanca relaksimi, por edhe kurimi mjekësor. Maradona ka mbërritur në destinacionin e ri kolumbian, i shoqëruar prej dy personash, që mendohet të jenë pjestarë të shërbimit sanitar, të cilët vazhdojnë t’i qëndrojnë akoma pranë, lidhur me mbështetjen që ai ka nevojë, pas problemeve me drogën. Në këtë mënyrë, Pibe i Artë, asnjëherë nuk rresht së befasuari, opinionin mbarëbotëror me sjelljen e tij. Pasi ka provuar të qenurin midis jetës e vdekjes, si pasojë e problemeve të mëdha që ka patur nga varësia prej kokainës, duke u shfaqur nëpër kamerat televizive mjaft i dobësuar, pothuajse i panjohur nga njerëzit, ai tani ka vendosur të marrë disa ditë pushim. Këto ditë pushimi mendohet se do të përmbushin trajtimin e dezintoksikimit, nga përdorimi i kokainës, në mënyrë që ta çojë përpara kurimin e tij. Sigurisht për Maradonën, nisur edhe nga gjendja në të cilën ai po kalon, ndoshta Kolumbia nuk mund të ishte vendi më i përshtatshëm për t’iu shmangur tundimit të drogës. Nga të gjithë dihet që Kolumbia është qendra botërore e prodhimit dhe shpërndarjes së drogës. Nuk dihet ende, nëse kjo lëvizje do të shërbejë si një mënyrë pozitive kurimi, apo diçka tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›