E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratona e Këngës Popullore në Durrës

Si gjithnjë ftues me detin e paanë e të qetë në ditët më të nxehta të vitit…. Durrësi, ky qytet me portin më të madh detar, i lashtë dhe i ri njëherësh, u bë mikpritës i natës së pestë të Maratonës së Këngës Popullore e qytetarë.
Në këtë stinë ky qytet është më i gjallë se kurrë, i përzgjedhur për pushime nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, jo vetëm nga ata vendas por, edhe ata nga Kosova e Maqedonia.
Shetitorja Taulantia, gumëzhin si ngaherë pasditeve të verës. Këtë herë ky shesh buzë detit është bërë mikpritësi ynë. Maratona e Këngës Popullore është në vëmendje që me mbërritjen e stafit.
Televizioni Klan dhe Promotor, e sigurisht këngëtarët e këtij rrugëtimi të katërt muzikor, janë ndalur kësaj here kaq pranë pushuesve, për t’u dhuruar atyre kënaqësi me folkun shqiptar nga të gjitha trevat. Ngjason me një dasmë të madhe shqiptare. Dhe pasi rrotull skenës pushuesit dhe durrsakët kanë ndalur shëtitjen e tyre të mbrëmjes nisi dhe Maratona nën prezantimin e Anjeza Majës dhe Drini Zeqos.
Plot 40 këngëtarë kanë mbërritur edhe në Durrës pas qyteteve të tjerë, një maratonë gjithpërfshirëse që do prekë çdo pëllëmbë të Shqipërisë nga Jugu në Veri, e nga Perëndimi në Lindje.
Janë dashur fare pak minuta për ta mbushur plot sheshin rreth e qark skenës. Këngëtarë të njohur, pjesëmarrës edhe në maratonat e mëparshme të Këngës Popullore, përcollën edhe për publikun në Durrës ritmet e përzgjedhura me këngë të reja e të përpunuara.
E si zakonisht skenografisë i vjen në ndihmë edhe atmosfera e krijuar rrotull skenës. Për të dytin vit në qytetin bregdetar, maratona gjallëron atmosferën e tij në këtë natë vere dhe mirëpritet si një eveniment i veçantë nga qytetarë e pushues.
Jo vetëm tingujt dhe vallet e Shqiperise se Mesme, por edhe ato të veriut, e jugut nën interpretimet e spikatura të këngëtarëve e grupeve të Maratonës kanë mbajtur gjallë atmosferën e kësaj nate në Durrës deri pas mesnatës.
Në këtë ndërthurje mes muzikës së traditës dhe freskisë së detit, çdokush do të gjente veten, për të kaluar një natë ndryshe. Kjo ishte nata durrsake e Maratonës… Ndalesa e rradhës do te jetë Vlora….

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›