Maratona rinore, promovim i talenteve të reja në Elbasan
Edicion i 13-të i Maratonës Rinore ka mbyllur tiparin pas pesë netësh konkurrim me pjesëmarrjen e 11 shkollave të mesme të prefekturës së qarkut të Elbasanit. Këtë eveniment muzikor-kulturor, kompozitori i njohur elbasanas, Edmond Rrapi ka qenë dhe si udhëheqës artistik i Maratonës rinore-2009 .
Vetë bashkia e qytetit , si për çdo vit do ta vlerësonte këtë veprimtari masive rinore duke shtuar fondin, nga 5 milion lekë vitin e kaluar në 8 milion, ndoshta motivuar edhe për shtratin që tashmë ka krijuar në Elbasan , konkurrimi i lirë i rinisë shkollore dhe promovimi i talenteve të reja në zhanra të ndryshëm artistikë. Të përzgjedhur nga shumica e shkollave të kësaj treve, nga 1000 që kaluan provën e parë, në skenën e teatrit do të ngjiteshin vetëm 400 të shpërndarë në 11 grupe konkurrimi. Sipas udhëheqësit artistik, Rrapi, kjo veprimtari vazhdon të debutojë vetëm në gjuhën shqipe duke risjellë në skenë këngë të vjetra e të reja, si dhe humorin, recitimin artistik, aerobinë e minispektaklin për top-modelet , sponsorizuar tradicionalisht nga firma e njohur Sara.Këtij sponsorizimi i është bashkëngjitur edhe AMC , radio Klea e shoqata Horizont Nata finale do të grumbullonte në sallën e shfaqjeve të këtij teatri mbi 600 pjesëmarrës, nxënës e prindër, aq sa dhe dyfishi i kapacitetit të sallës. Rrapi e ka shpjeguar traditën e këtij aktiviteti artistik më tepër për të inkurajuar të rinjtë të cilët sakrifikuan jo pak në prag të mbylljes së vitit shkollor. Me çmimin e parë do të nderohej shkolla e mesme e përgjithshme Dhaskal Todri e qytetit të Elbasanit , dhe çmimet e dyta dhe të treta janë shpërndarë nëpër rrethe të tjera të prefekturës.