Marcelo Lipi: Kualifikimi i merituar" dhe kujton: Kështu dhe në ‘82 e 2006
Marçelo Lipi, trajneri i Italisë është shfaqur shumë i lumtur pas ndeshjes së mbyllur 2-2 mes Irlandës dhe skuadrës së tij, takim i cili u zhvillua në Dublin: "Kënaqësia është e madhe, ka deklaruar tekniku "axur". Kemi rrezikuar shumë, por nëse do të kishim humbur, do të kishte qenë një padrejtësi e madhe. Skuadra ka luajtur me kualitet dhe personalitet, duke vuajtur pak në komandimin e ndeshjes. Barazimi ka qenë i merituar, ashtu sikurse edhe kualifikimi. Dy rastet e vetme të precedencës, në të cilat Italia është kualifikuar një ndeshje para fundit, kanë qenë në ‘82 dhe në 2006, nuk them të tjera". "Të luash me 75 mijë spektatorë, me shpirtin luftarak që udhëheq irlandezët, nuk ishte e thjeshtë, por kemi vuajtur shumë pak, ka vazhduar më tej Lipi. Kemi shënuar gol, na e kanë anuluar një tjetër dhe nuk e di përse. Në fund na shkoi mirë". "Duhej të rindërtonim një skuadër dhe jemi ende në një kantier të vërtetë, ka thënë ai më tej. Ndeshjet e fundit kanë qenë shumë pozitive, kundër bullgarisë në Torino dhe kjo me Irlandën. I kam kërkuar skuadrës të bëjë një hap përpara në rindërtimin e ekipit, hapi përpara u bë, tani na duhen ende të tjerë. Por na lejoni ta shijojmë këtë kualifikim të merituar, 7 fitore dhe dy barazime janë goxha shumë". "Gjëja më e bukur e kësaj skuadre, ka shtuar në fund Lipi, është se cilido që luan, është gjithnjë entuziast dhe i kënaqur që zbret në fushë. Kjo është një gjë e rëndësishme për rindërtimin e një skuadre". Goli i Xhilardinos ndaj Irlandës, ka qenë një nga ata të zakonshmit për të si gjuetar i çuarjes së topit në rrjetë. Tamam një sulmues i vërtetë. Ishte një ndëshkim për shpresat e Irlandës së Trapatonit. Xhila gola ka shënuar gjithmonë. Ky i fundit është i 13-ti me Italinë, në 37 ndeshje. Po shënon edhe me Fiorentinën. "Ky ka qenë goli im më i rëndësishëm që kam shënuar për kombëtaren", ka thënë ai në fund. Mundet, që ky të jetë vetëm fillimi. Sepse ai është në kombëtaren italiane që nga shtatori 2004, por gjithmonë ka qenë në diskutim, në balotazh, i paaftë të fitojë bindshëm një konkurrencë. Kjo Itali ka nevojë për një sulmues të madh dhe ndoshta tani e ka në shtëpi.