E Hënë, 2 Nëntor 2026

Margaret Hezllak, 13 vjet në damarin shqiptar

27/02/2005  Historiania e njohur skoceze, Margaret Hezllak, vjen në shqip, me botimin “Ligji i pashkruar në Shqipëri”, përkthyer nga Leka Ndoja; seritë e kujtimeve të skocez në 13 vitet që jetoi në Shqipëri

Libri i Hezllakut, i quajtur nga studiuesi Hammond, si libri më i mirë mbi "Gjakmarrjen" në Shqipëri, sidomos për zonat më pak të studiuara nga albanologët dhe antropologët, si Malësitë e Martaneshit dhe të Elbasanit, do të krijonte një ndikim të jashtëzakonshëm me botimin e tij nga universiteti anglez i Kembrixhit, më 1954. Pavarësisht se vepra e saj ka qenë e njohur në dorëshkrim që nga Lef Nosi, Hammondi deri te Brigadieri Davies dhe Kolonel Smaili, në Shqipëri, ky kontribut vjen ne shqip, përkthyer nga Leka Ndoja, ne gjuhën që ajo adhuroi deri në vdekje. Skocezja etnografe, Margaret Hezllak, ka qëndruar 13 vjet në Shqipëri, kryesisht në Elbasan deri më 1939-ën, por është e njohur kryekreje për briefing-et në SOE-në e Kajros, për përgatitjen e ushtarakëve britanikë, që desantuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë. Ndërsa vepra e saj e jetës prej XXV kapitujsh "Ligji i pashkruar" + Apendiksin me shembuj nga "Kanuni" shqiptar, u redaktua dhe botua nën kujdesin e profesoriatit të Universitetit të Kembrixhit më 1954, pasi vetë Hezllaku u shua më 1949, pa arritur ta redaktojë krejt, hiq katër kapitujt e parë, prej materialit të pamasë që mblodhi në terren mbi doket e zakonet e shqiptarëve.

Një veçori e Hezllakut është se ajo e krahason korpusin e Ligjeve Shqiptare me sistemin e të drejtës anglo-saksone, duke i quajtur nenet e kanunit si ligje nga populli për popullin, duke e vlerësuar si Korpusin Ligjor më demokratik të botës. Hezllaku ndoshta është nga autoritetet e pakta pas Durhamit, që e ka quajtur të padrejtë përfshirjen e territoreve shqiptare nën Jugosllavi, pikërisht në veprën kruçiale "Ligji i pashkruar në Shqipëri".

Veç me gjuhën mos t’ja punosh Konicës

Me nismën e mirë për të nxitur lexuesit drejt veprës së Faik Konicës, shtëpia botuese “Abas” ka nxjerrë këto ditë në treg botimin “Antologji e Faik Konicës”, zgjedhur dhe përgatitur nga Nasho Jorgaqi. Ky është prej atyre botimeve që përfshihen në kolanën “leximeplus” e cila përmban autorë dhe vepra të parashikuara në programin e lëndës së letërsisë që zhvillohet në shkollat mesme.

Por duke hyrë nën ndikimin e kësaj nxitjeje, duke ndjekur në paepje fjalën koniciane mbi shkrimet, gjuhën, Shqipërinë ku ndjehet gati fryma “intolerante” që kishte shkrimtari dhe publicisti më brilant shqiptar afro njëqind vjet më parë, në këtë botim vërehen gabime. Janë disa pakujdesi korrekture që ta tradhëton shijen e të lexuarit. Për moshën se cilës i drejtohet, mund të krijohet ai çasti i “çmendur” ku gjuha vihet në lojë. Sidomos kjo duket në artikujt e parë të librit ku vihen re shumë fjalë të shkruara gabim, dhe të tjera pa saktësi shkrimore. Megjithatë duke besuar në emrin e përgatitësit të botimit, N. Jorgaqit ky botim paraqet përmbledhtasi esencën e një profili të gjerë siç ishte Konica.

Koncepti i këtij botimi, për të paraqitur tharmin e veprimtarisë dhe krijimtarisë së Konicës, është dhënë duke shkëputur poezi, prozë poetike, portrete dhe shkrime publicistike. Në këtë libërth hyjnë jo vetëm pasqyra e lëndës krijuese dhe letrare nga vetë shkrimtari, por sillen dhe mendime nga personalitete të letrave shqiptare dhe evropiane për Faik Konicën. Në fund të botimit, disi relative, paraqiten dhe disa tema për pikënisje debati që mund t’ju shërbejë shkollave të mesme në rastin e leximeve plus.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›